Lidhje

SHBA: 12 të vrarë nga stuhi të furishme


Më shumë se 3 milion banorë kanë mbetur pa rrymë elektrike

Stuhi të dhunshme që përfshinë pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të premten vonë kanë shkaktuar të paktën 12 të vdekur dhe më shumë se 3 milion banorë janë pa rrymë elektrike.

Stuhitë goditën rajonin mes një vape rekord, duke shkulur pemët nga rrënjët dhe duke rrëzuar linjat e rrymës elektrike. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në kryeqytetin Uashington si dhe në 4 shtete, Meriland, Virxhinia, Virxhinia Perëndimore dhe në Ohajo.

Miliona njerëz në mbarë rajonin juglindor të Shteteve të Bashkuara e gjetën veten në mes të vapës së madhe pa rrymë elektrike si pasojë e stuhive të fuqishme me errëra të forta, që shkaktuan edhe rrëzimin e pemëve.

Zyrtarët thanë se rryma elektrike mund të mos u rikthehet banorëve për disa ditë e ndoshta një javë, duke i krahasuar dëmet me ato të një uragani të fuqishëm.

Gjendja e jashtëzakonshme u shpall në Meriland, Virxhinian Perëndimore, Ohajo, Distriktin e Kolumbit dhe në Virxhinia, ku Guvernotori Bob McDonnell tha se shteti i tij ka përjetuar ndërprerjen më të madhe të rrymës eletrike nga një stuhi jo e katogorisë së uraganit, ndërsa stuhi të tjera kërcënonin rajonin.

"Jemi ndeshur me stuhi shumë të rrezikshme, 2.5 deri 3 milion njerëz pa rymë elektrike. Ky numër është gati i barabartë me pasojat e uraganit të fundit që goditi zonën tonë dhe më i madhi nga një stuhi e kategorisë më të ulët se sa uragani".

Në disa zona të Virxhinias në periferi të Uashingtonit, qendrat e emergjencës nuk funksiononin dhe banorëve iu tha që të telefononin policinë lokale dhe qendrat e zjarrfikësve.

Pemë të mëdha u rrëzuan nëpër rrugë të Uashingtonit, duke i lënë makinat të bllokuara.
Shërbimet e internetit dhe të kompanive celulare në disa zona u ndërprenë, pikat e karburantit ishin mbyllur dhe banorëve iu kërkua që të përdorin sa më pak ujë deri sa të rikthehet rryma elektrike.

Ndërprerja e rrymës është e rrezikshme pasi rajoni ka mbetur pa ajër të kondicionuar në temperatura rreth 40 gradë Celsius, veçanërisht në Baltimor të Merilandit dhe në Uashington.

Stuhia shkaktoi dëme nga Indiana në Nju Xhërsi, megjithëse dëmet më të mëdha u shkaktuan në Virxhinian Perëndimore, Uashington dhe në zonat në periferi të kryeqytetit në shtetet Virxhinia dhe Meriland.

Të paktën 6 njerëz humbën jetën në Virxhinia, mes tyre një grua 90 vjeçare, që po flinte kur një pemë e madhe ra mbi shtëpinë e saj.

Dy të rinj, kushërinj në Nju Xhërsi vdiqën pasi një pemë ra mbi tendën e tyre.
Dy veta humbën jetën në Meriland, një në Ohajo, një në Këntaki dhe një në Uashington.

Sipas Shërbimit Kombëtar të parashikimit të motit, stuhia me errëra deri në 145 kilometra në orë, filloi në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, kaloi në vargmalet Apalashe dhe më pas mori edhe më shumë fuqi nga një sistem i presionit të lartë, ndërsa goditi pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG