Lidhje

Instrumentet Stradivari në një muze


Ai ka hyrë në histori si një nga krijuesit më të mëdhenj të violinave në botë. Puna e italianit Antonio Stradivari dhe familjes së tij do të ekspozohet tani në një muze të ri, që pritet të hapet për publikun gjatë këtij viti.

Stradivari është një emër shumë i famshëm në botën e instrumenteve me tela.
Disa prej violinave të ekspozuara në bashkinë e Kremonës, në Itali, kanë vlerë deri në 20 milionë dollarë. Ato janë prodhuar në mënyrë artizanale nga Antonio Stradivari dhe bijtë e tij gjatë shekujve të 17-të dhe 18-të.
Këto instrumente së shpejti do të zhvendosen në një muze të ri, pranë qendrës historike së qytetit.

Muzikologu Andrea Mosconi ndihmon në kujdesjen ndaj këtyre thesareve:

"Kur luan një instrument të sofistikuar, si një violinë Stradivari, do të thotë se ke mundësi të japësh më të mirën si artist. Vetë instrumenti ta bën punën më të lehtë. Ky është vlerësimi maksimal që unë do të jepja për një kryevepër, si një violinë ose violinçel Stradivari," thotë ai.

Puna e zotit Mosconi është që këto violina Stradivari të mbahen gjithmonë në formë të mirë. Pra, ai mund të luajë muzikë me to sa herë që ka nevojë. Violina që ai po përdor është një Stradivari e vitit 1715 e quajtur "Kremonezi".

Violinat e ekspozuara në bashkinë e Kremonës së shpejti do të vendosen përkrah të tjerave në këtë ndërtesë tërësisht të re, që do të jetë Muzeu i Violinave. Ky muze do të paraqesë disa nga instrumentet më të mira të prodhuara nga familja Stradivari në të gjitha kohërat. Dhe jo vetëm violina, por edhe violinçelë dhe kitara.

Paolo Bodini është President i Shoqatës Miqtë e Stradivarit.

Ai thotë se ata janë duke bërë çdo gjë të mundur që muzeu i ri të jetë i mbushur me ekspozita interesante:

"Kemi takuar koleksionistë të ndryshëm, njerëz që i kishin këto instrumente në shtëpitë e tyre apo në kasaforta bankare. Jemi përpjekur t’i bindim se është me vlerë që këto instrumente të çmuara të ndahen me Kremonën, dhe nëpërmjet Kremonës, me të gjithë botën. Kështu filluam t’i sillnim instrumentet në fjalë në muzeun tonë, fillimisht në të vjetrin dhe tani tek ky që shihni pas meje, me idenë e rigjallërimit të këtyre instrumenteve."

Nga 1100 violinat e bëra nga familja Stradivari, afërsisht gjysma ekzistojnë ende. Kremona zotëron me krenari njërin prej koleksioneve më të mëdha në botë. Muzeu i ri, përveç ekspozimit të instrumenteve, do të ofrojë dhe teknologji ndërveprimi për të marrë informacione.

Alessandra Villa është drejtoreshë e Muzeut të Violinave.

"Ata që duan të mësojnë më tepër, mund të konsultojnë arkivat historike të qytetit. Natyrisht, gjëra të tilla më parë nuk mund të përdoreshin nga publiku i gjerë. Por sot, përmes teknologjisë, njerëzit do të jenë në gjendje të dinë çdo gjë në lidhje me testamentin e Stradivarit, mund të zbulojnë se sa instrumente bëri, ku ndodhen ato instrumente, pse janë kaq të vlefshme apo pse muzikantët më të mëdhenj të botës i cilësojnë ato si instrumentet më të mira të të gjitha kohërave," shpjegon ajo.

Në qendër të muzeut të ri gjendet një sallë koncertesh në formë violine, për të cilën është përdorur i njëjti dru panje me të cilin janë bërë violinat. Salla mban deri në 400 njerëz dhe premton të tërheqë emra të mëdhenj në skenën e saj.

Giorgio Grisales është President i Konsorciumit të Violinave të Kremonës. Ai prodhon instrumente me tela në një punishte në qytet:

"Muzeu i Violinave do të ketë një rol të rëndësishëm. Qyteti i Kremonës do të përfitojë prej tij, gjithashtu edhe krijuesit e violinave në Kremona. Por mbi të gjitha, do të përftojë njerëzimi. Ata që e duan dhe e respektojnë muzikën, që ndjejnë kënaqësi prej saj, do të kenë mundësi të shohin diçka të mrekullueshme, diçka të mahnitshme kur të vizitojnë Muzeun e Violinave."

Muzeu i ri i Violinave pritet të hapet për publikun më 14 shtator, duke shënuar fillimin e aktivitetit pesë-javor "Festivali Stradivari".
XS
SM
MD
LG