Lidhje

Strasburg: Merkel dhe Sarkozi takohen me kryeministrin italian Monti

  • Zëri Amerikës

Strasburg: Merkel dhe Sarkozi takohen me kryeministrin italian Monti

Strasburg: Merkel dhe Sarkozi takohen me kryeministrin italian Monti

Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan në Strasburg të Francës për të diskutuar mbi rolin e Bankës Qendrore Evropiane në krizën e borxhit të Eurozonës. Takimi zhvillohet ndërkohë që jo vetëm Italia por edhe ekonomitë gjermane dhe franceze, dy më të mëdhatë e eurozonës mund të përballen me probleme.

Presidenti francez, Nikola Sarkozi dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehën mbështetje të plotë për kryeministrin e ri italian Mario Monti.

"Qëllimi i këtij takimi është para së gjithash që Kancelarja Merkel dhe unë të shprehim dëshirën e Gjermanisë dhe Francës për të mbështetur dhe ndihmuar qeverinë italiane të kryesuar nga Mario Monti. Ne, Gjermania dhe Franca, donim të shprehnim besimin tonë te qeveria italiane," tha presidenti francez Nikola Sarkozi.

Ky është takimi i parë i zotit Mario Monti me Presidentin Sarkozi dhe Kancelaren Merkel që kur ai u emërua në postin e kryeministrit javën e kaluar. Ai ka premtuar se do të vërë në jetë reformat për ta nxjerrë vendin nga gjendja e vështirë financiare. Borxhi i Italisë është rreth 1,9 trilion euro ose 120 përqind e e të ardhurave kombëtare të vendit.

“Ky është një takim i tre ekonomive më të mëdha të eurozonës, janë diskutime të rëndësishme për të gjithë ne. Dhe për të gjithë ne është po aq e rëndësishme të mësojmë nga afër se cilat janë synimet dhe planet e qeverisë së re italiane. Sigurisht, ne po diskutojmë për konsolidimin e buxhetit dhe reformat strukturore të cilat, jam e bindur se do të sjellin rritjen ekonomike. Dhe rritja është e nevojshme për krijimin e vendeve të punës," tha Kancelarja Merkel.

Presidenti Sarkozi shpreson të bindë Kancelaren Merkel që të zbutë kundërshtimin e saj për të lejuar Bankën Qendrore Evropiane të veprojë si huadhënëse e fundit për ekonomitë e eurozonës. Zonja Merkel gjithashtu kundërshton huamarrjen nëpërmjet shitjes së bonove të eurozonës, në vend të atyre të emetuara nga secili vend. Banka Qendrore Evropiane ka praktikisht mundësi të pakufizuara financiare përmes aftësisë së saj për të shtypur para.

Takimi i sotëm vjen pas një shenje shqetësimi që investitorët shfaqën lidhur me ekonominë gjermane, më e forta në Evropë. Në ankandin e djeshëm, bonot gjermane me maturim 10-vjeçar nuk arritën të gjejnë blerës për më shumë se 2 miliardë dollarë letra me vlerë nga 6 miliard të ofruara me 2 përqind interes. Ndërkohë, Franca është paralajmëruar se klasifikimi i kreditit të saj mund të ulet nga 3 A që është aktualisht.

XS
SM
MD
LG