Lidhje

Strategjia e re e Pres. Obama mbi mbrojtjen amerikane përqendrohet në Azi


Strategjia e re e Pres. Obama mbi mbrojtjen amerikane përqendrohet në Azi
Strategjia e re e Pres. Obama mbi mbrojtjen amerikane përqendrohet në Azi

Kur Presidenti Obama njoftoi muajin e kaluar strategjinë e tij të re mbi mbrojtjen globale, ai e vuri theksin tek Azia, dhe i përqëndroi vendimet e tij të buxhetit lidhur me aftësitë operacionale nga ajri, deti dhe ato speciale më të përshtatshme ndaj kërcënimeve të mundshme të sigurisë në atë rajon. Ky përqëndrim ngjalli disa dyshime rreth sigurisë së Evropës, ku Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor i mbrojtjes.

Ceremonia e ndërrimit të komandës së ushtrisë amerikane në Evropë muajin e kaluar u shoqërua me gjithë solemnitetin e zakonshëm, por komandanti i ri e dinte se pjesë e punës së tij do të jetë shkurtimi përgjysëm i forcave luftarake. Strategjia e re e presidentit mbi mbrojtjen kërkon tërheqjen e 2 prej 4 brigadave luftarake të ushtrisë amerikane me bazë në Evropë.

Me shkurtimin e buxhetit amerikan të mbrojtjes, plani përqëndrohet në fuqinë nga deti dhe aftësitë ajrore, që janë më të përshtatshme për hapësirat e mëdha të Azisë dhe Paqësorit, si dhe te forcat speciale për misionet kundër terrorizmit.

Shtetet e Bashkuara i kanë siguruar aleatët evropianë se angazhimi amerikan ndaj sigurisë së tyre vazhdon të jetë i fuqishëm. Amerika do të lëvizë trupat në mbarë Evropën për trajnim, madje si Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta ashtu edhe Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton morën pjesë në një konferencë sigurie në Gjermani.

Sekretari Panetta parashtroi të njëjtin mesazh në takimin e ministrave të Mbrojtjes në selinë e NATO-s në Bruksel. Zyrtarët amerikane e pranojnë se ende ekzistojnë kërcënime të mundshme ndaj sigurisë në Evropë, përfshirë edhe programin bërthamor dhe atë të raketave të Iranit, por jo ato lloj kërcënimesh, që ka të ngjarë të kërkojnë një përgjigje nga ana e forcave të këmbësorisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se ai nuk është i shqetësuar rreth tërheqjes së dy brigadave të ushtrisë amerikane, por ai i tha Zërit të Amerikës se vendet evropiane duhet të pranojnë rëndësinë e kalimit drejt lindjes të përparësive të mbrojtjes amerikane.

“Strategjia amerikane e mbrojtjes u dërgon një sinjal të qartë aleatëve evropianë se ata duhet të marrin përsipër disa përgjegjësi për të mirën e sigurisë tonë të përbashkët. Ne përballemi me buxhete të mbrojtjes në rënie për shkak të vështirësive ekonomike. Prandaj ne kemi nevojë të përdorim në mënyrë më efikase burimet tona nëpërmjet bashkërendimit dhe ndarjes së tyre, nëpërmjet bashkëpunimit mes shumë vendeve dhe jo nëpërmjet thjeshtë zgjidhjeve kombëtare”.

Ndërsa numri i trupave amerikane në Afganistan do të reduktohet gjatë 3 vjetëve të ardhshëm, strategjia e re e mbrojtjes shkakton një tjetër shqetësim për një analist me bazë në Bruksel. Giles Merritt i Axhendës së Sigurisë dhe Mbrojtjes, thotë se vendet evropiane duhet të sigurohen se ato ende kanë ndikim në Uashington, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndonjë ndërhyrje ushtarake në të ardhmen si luftërat në Afganistan dhe Irak.

“Mendoj se evropianët i shikojnë interesat e tyre që të qëndrojnë sa më afër që të jetë e mundur me interesat e amerikanëve, në mënyrë që të paktën të kenë një ndikim përmbajtës. Ne duhet të përpiqemi ta bëjmë procesin vendim-marrës të Shteteve të Bashkuara shumë më tepër shumë palësh se sa ka qënë kohët e fundit”.

Ndikimi i plotë i ndryshimit të përparësive amerikane të mbrojtjes drejt Azisë nuk do të ndjehet për disa vjet, megjithatë ai ka bërë që zyrtarë dhe analistë të sigurisë evropiane të mendojnë rreth planifikimit të një të ardhmeje, në të cilën aleati i tyre më i fuqishëm, Shtetet e Bashkuara, gjithnjë e më shumë do të përqëndrohet diku gjetkë në botë.

XS
SM
MD
LG