Lidhje

Prindërit e rinj përballen me sfida


William dhe Kate do të kenë ndihmë të mjaftueshme për foshnjen e tyre të parë, por të jesh pjesë e familjes mbretërore nuk do të thotë se është e lehtë të ambjentohesh me një anëtar të ri që i shtohet familjes. Të gjithë prindërit e rinj përballen me një numër sfidash që fillojnë zakonisht me gjumin.

Shumica e prindërve thonë se të rrisësh fëmijë është gjëja më me vlerë në botë. Të shohësh foshnjen të zhvillohet është një burim i vazhdueshëm gëzimi dhe një e qeshur e vetme, mund të të heqë lodhjen e një nate pa gjumë.

Por ndonëse është një nga periudhat më të lumtura të jetës, rritja e një fëmije – veçanërisht për herë të parë – është gjithashtu një nga sfidat më të mëdha.

Annabel Cundell dhe bashkëshorti i saj Michael, janë prindër të Tabita-s që ka lindur në dhjetor 2012.

Annabel thotë se sado të përgatitesh, vetëm kur fëmija vjen në jetë fillon të mësosh se çfarë duhet të bësh.

"Mund të lexosh libra, të flasësh me miq që kanë fëmijë, por nuk je gati derisa e mëson vetë procesin dhe mundohesh të zgjidhësh situatat e ndryshme."

Përveç të qënurit nënë e re, Anabel planifikoi dasmën dhe muajin e mjaltit. Tabita ishte pesë muajsh.

Ajo thotë se sfida më e madhe është të jesh prind 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Sekreti për ta përballuar këtë, beson ajo, që të dy prindërit të bashkëpunojnë, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe t'i njëri-tjetrit mundësinë për t'u çlodhur.

Megjithë disa muaj përgatitjesh, prindërit për herë të parë shpesh ndjehen sikur nuk kanë mësuar asgjë kur lind fëmija. Të mësohesh me mungesën e gjumit është vetëm një nga sfidat për prindërit e rinj. Shumë çifte thonë se stresohen pasi nuk janë të sigurtë nëse po bëjnë atë që duhet.

Kur nënat e reja lindin, ato ndjehen të izoluara dhe të vetmuara dhe kjo mund të sjell simptoma depresioni. Rachael Dobson e di mirë sa shkatërrues mund të jetë ky depresion. Ajo ka vuajtur prej tij tre vjet me radhë, pas lindjes së djalit, Andreas.

Nëna 24 vjeçare po mëkëmbet tani – falë mbështetjes nga familja dhe miqtë – por rrugëtimi i saj ka qënë i vështirë.

"Kishte ditë që mendoja se asgjë s’ja vlente. Po e bëja të vështirë situatën për bashkëshortin, nuk po kujdesesha siç doja për djalin. Dhe mendoja: a do të ishte më e lehtë t’i jepja fund çdo gjëje? A do të zgjidhte kjo gjithçka?”

Dobson nuk është e vetme. Gati 15 përqind e grave në Britani njoftohet se vuajnë nga depresioni pas lindjes, por mjekët mendojnë se kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë.

National Childcare Trust (NCT) është një organizatë bamirësie në Britani që ofron ndihmë, këshillë dhe trainim për prindërit e rinj dhe që praktikon gjithashtu profesionistë të kujdesit për fëmijët.

Këshilltarja e saj, Elizabeth Duff thotë se është jetike që prindërit e rinj të dinë se për ta ka mbështetje dhe se nuk ka përse të mos kërkojnë ndihmë nga familja dhe shoqëria.

"Shumë njerëz janë në të 30-at kur bëhen me fëmijën e parë. Kështu që kanë patur disa vjet që kanë qënë totalisht të pavarur dhe papritur gjenden përpara kësaj situate dhe mendojnë se nuk duhet të kërkojnë ndihmë. Por situatën nuk duhet ta shohësh si dështim –përkundrazi, duhet të kërkosh ndihmë pasi njerëzit duan të të ndihmojnë”.

Organizata e bamirësisë i vë në kontakt me njeri-tjetrin prindërit e rinj në komunitetet e tyre. Shumë grupe qëndojnë miq dhe i japin mbështetje njëri-tjetrit gjatë muajve të parë. Shumë të tjerë qëndrojnë miq përjetë duke ndarë përvojën e rritjes së fëmijëve të tyre. Annabel thotë se të jesh pjesë e një grupi është një mbështetje e madhe për prindërit e rinj.

"Kur e di se edhe prindërit e tjerë kalojnë përmes të njëjta sfidash si ty, krijon një farë besimi”.

Megjithëse rritja e fëmijëve mund të mos jetë gjithmonë e lehtë, shumica e prindërve thonë se nuk do ta ndërronin këtë detyrë me asgjë tjetër në botë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG