Lidhje

Stretegji e re e NATO-s në Afganistan


Stretegji e re e NATO-s në Afganistan
Stretegji e re e NATO-s në Afganistan

Operacionet luftarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan janë gati të arrijnë kulmin. Ndërsa kontigjenti i parë i trupave amerikane prej rreth 100 mijë ushtarësh përgatitet të tërhiqet nga Afganistani, duke filluar nga korriku, NATO-ja po ndryshon strategjinë e saj. Në vend që të përpiqet të sigurojë të gjithë Afganistanin nga kryengritësit talebanë, aleanca po i përqëndron burimet e saj në rënie në një numër të vogël qendrash më të populluara.

Është një ditë e qetë në distriktin Baraki Barak të provincës Logar në Afganistanin lindor. Policia ushtarake e divizionit të 10 të ushtrisë amerikane patrullon këtë distrikt bashkë me policinë afgane. Banorët vendas i presin ushtarët amerikan. Ata janë edhe të shoqërueshëm, madje disa prej tyre duan të bisedojnë.

Të tjerë dalin vullnetarë për të marrë pjesë në një grup të ri për mbrojtjen e distriktit. Edhe një ditë tjetër kalon në një prej komuniteteve, ku vazhdon prania e forcave të NATO-s dhe atyre të qeverisë afgane. Por disa kilometra më tutje, rrugët janë gati të pakalueshme si pasojë e përdorimit të mjeteve shpërthyese të improvizuara. Snajperët talebanë vënë në shënjestër trupat e NATO-s.

10 vjet pas fillimit të luftës në Afganistan, aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka arritur numrin e saj maksimal prej rreth 150 mijë trupash, ndërkohë që, sipas planeve, forcat amerikane do të fillojnë tërheqjen në korrik.

Tani që ka arritur në përfundimin se nuk mund të patrullojë të gjithë Afganistanin, NATO-ja ka identifikuar 80 prej rreth 400 distrikteve të vendit si ditrikte kyçe, në të cilat do të qëndrojnë një pjesë e madhe e trupave si dhe do të shtohen projektet e ndërtimit dhe ndihma të tjera.

Baraki Barak, me rreth 80 mijë banorë, është i vetmi distrikt në provincën Logar, që përfshihet në këtë kategori. Baraki Barak ka një pazar të madh, disa rrugë të rëndësishme dhe banorët kanë lidhje të forta me Kabulin.

"Ky distrikt është plot jetë".

Që prej dislokimit në Baraki Barak në vitin 2009, NATO-ja ka përfunduar një numër projektesh rindërtimit, përfshirë edhe këtë baçe. Gjithashtu, zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit kanë ndihmuar në krijimin e një qeverie të re.

Ana tjetër e strategjisë së distrikteve kyçe është se distrikteve të tjera u kushtohet më pak vemendje, mes tyre edhe disa distrikte strategjike në kufi, që janë bërë bazë talebane.

Oficerët e ushtrisë amerikane e pranojnë se kjo strategji nuk është e përsosur, por është mënyra më e mirë për të përdorur burimet e pakta dhe për t’i dhënë më shumë kohë qeverisë afgane dhe Forcave Afgane të Sigurimit Kombëtar.

"Përparësia jonë është të përqëndrohemi në qendra të populluara sepse objektivi ynë kryesor është sigurimi i popullatës. Nëse ne mund të garantojmë siguri për popullsinë afgane, ata do të mbështesin qeverinë afgane dhe Forcat e Sigurimit Kombëtar. Dhe sapo të arrijmë këtë objektiv në zonat më të populluara, ne mund të shtrihemi në zonat më pak të populluara".

Ndërsa niveli i trupave të NATO-s do të bjerë gradualisht, duke filluar nga korriku, nuk mbetet shumë kohë që kjo strategji të funksionojë me sukses.

XS
SM
MD
LG