Lidhje

Tiranë: Përkeqësohet gjendja e grevistëve

  • Armand Mero

Në Shqipëri vazhdon të përkeqësohet gjendja e ish të burgosurve politikë të cilët prej më shumë se tre javësh gjenden në grevë urie për të kërkuar shpërblimin financiar për vitet e kaluara në burgjet e dikaturës komuniste
Disa prej grevistëve kanë përfunduar në spital pasi gjendja e tyre shëndetësore është rënduar. Tani kanë mbetur vetëm 8 prej tyre që po vazhdojnë protestën. Ndërkaq situata bëhet më problematike edhe për shkak të kushteve të motit. Greva po zhvillohet në mjedise të hapura, nën disa tenda, të cilat u përmbytën nga shirat e rrëmbyere që ranë gjatë natës së mbrëmshme.
Grevistët të cilët dy ditë më parë u takuan me presidentin Bujar Nishani, u shprehën të zhgënjyer pasi sic deklaruan nuk ka asnjë sinjal për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Skënder Tufa, përfaqësues i ish të përndjekurve bëri thirrje sot për një zgjidhje të shpejtë pasi sipas tyre gjendja shëndetësore e grevistëve po bëhet gjithnjë e më problematike.
Një grup gazetarësh protestuan sot para kryeministrisë dhe më pas shkuan pranë mjediseve ku po zhvillohet greva. Ata kërkojnë nga qeveria një ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhjen e problemit të ish të përndjekurve. Nga autoritetet megjithatë nuk ka asnjë shenjë për të nisur dialogun dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi. Qeveria këmbëngul se protesta është politike dhe se të gjitha kanë marrë shpërblimin financiar sipas ligjit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG