Lidhje

Shtohen studentët kinezë në SHBA

  • Elisabeth Lee

Numri i studentëve nga Kina që studiojnë në universitetet amerikane është rritur në mënyrë dramatike. Sipas disa statistikave, numri i studentëve kinezë të diplomuar në Shtetet e Bashkuara është dyfishuar në dy vitet e fundit. Ekonomistët thonë se kjo prirje është rezultat i rritjes së klasës së mesme në Kinë. Los Anxhelosit ka një nga popullsitë më të mëdha të studentëve kinezë në Shtetet e Bashkuara. Në këtë qytet studiojnë mbi katër mijë studentë kinezë.

Në Universitetin e Kalifornisë Jugore, studentët nga Kina mblidhen rregullisht për ngjarje të ndryshme si ky festival vjeshte.

Studenti i inxhinierisë Sun Wei thotë se ai nuk ka takuar shumë amerikanë sepse në universitet ka shumë studentë nga Kina. Por ai e shikon anën pozitive të kësaj:

“Është pozitive sepse kur erdha këtu, përshtatja në këtë mjedis të ri për mua ishte më e lehtë. Pra ka shumë studentë kinezë”.

Por ardhja në Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë e lehtë për shumë studentë. An Ruopeng thotë se për të dhe bashkëshorten e tij është vështirë sepse janë larg familjes.

“Ne të dy jemi fëmijë të vetëm dhe prindërit tanë të moshuar e ndjejnë mungesën tonë si dhe të nipit të tyre të vetëm”.

“Numri i studentëve kinezë që studiojnë në Shtetet e Bashkuara pothuajse është trefishuar në dekadën e kaluar dhe është katërfishuar që nga viti 1995”.

Ekonomisti Ferdinando Guerra thotë se vitin e kaluar studentët kinezë kanë kontribuar më shumë se 100 milionë dollarë për ekonominë e Los Anxhelosit. Ai thotë se, në nivel kombëtar, ata kanë kontribuar më shumë se 4,5 miliard dollarë për ekonominë.

Ekonomistët si Jim Hosek thonë se rritja ekonomike e Kinës ka shkaktuar këtë rritje dramatike të numrit të kinezëve që studiojnë në Amerikë.

“Ka më shumë sipërmarrës dhe biznesmenë kinezë të të gjitha llojeve, të cilët janë më të pasur sot, dhe mund të përballojnë koston e dërgimit të fëmijëve të tyre jashtë shtetit”.

Li Jing ka studiuar në degën e arsimit në Universitetin e Kalifornisë Jugore. Ajo thotë se deri në vitit 2004, studentët kinezë merrnin bursa nga universitete amerikane.

“Shumica e studentëve kinezë merrnin bursa. Tani studentët kinezë i paguajnë vetë shpenzimet për të ardhur këtu”.

Varun Soni, Dekan i Fakutetit të Fesë në Universitetin e Kalifornisë Jugore, thotë se ndërkohë që studentët kinezë tradicionalisht janë diplomuar në inxhinieri ose shkencë, ata tani kanë filluar të zgjedhin drejtime të tjera si arsimin, biznesin dhe filmin.

“Mendoj se ky brez ka prirje të përqëndrohet në fushat të cilat ata mendojnë se do t’u ndihmojnë kur të kthehen në Kinë. Ata nuk duan të jetojnë këtu përgjithmonë, ndryshe nga brezat e mëparshëm të studentëve kinezë”.

Kjo i shqetëson disa amerikanë, thotë Jim Hosek.

“Mendoj se shqetësimi kryesor i amerikanëve ka të bëjë me largimin e kapitalit njerëzor”.

Por profesorët dhe ekonomistët thonë se Shtetet e Bashkuara mund të përfitojnë nga prania kineze.

“Mendoj se kjo na bënë më të integruar në aspektin e kulturave dhe kombeve, dhe krijon mundësi për arritjen e një bashkëpunimi më të madh”.

Për monentin, shumica e këtyre studentëve janë kryesisht të përqëndruar në shfrytëzimin maksimal të këtij mjedisi të ri dhe në studimet e tyre që prindërit e tyre të jenë krenarë për ta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG