Lidhje

SHBA, Nxënës kinezë në shkollat e mesme


Studentët kinezë kanë prej kohësh një prani të fortë në universitetet amerikane, në kërkim të mundësive më të mira jashtë Kinës. Por tani, me pothuajse një të tretën e studentëve ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara që vijnë nga Kina, një numër në rritje adoleshentësh nga familje të pasura kineze po nisin përgatitjet më herët se të tjerët për t’u pranuar në universitetet amerikane, duke kryer shkollën e mesme në SHBA.

Ëndrra: Amerika dhe universitetet e saj prestigjioze. Qëllimi i shumë adoleshentëve kinezë është të pranohen në universitetet më të mira jashtë vendit. Dhe shumë prej tyre janë duke u përgatitur për mundësinë e pranimit gjithnjë e më herët, duke u larguar tashmë nga Kina për të kryer shkollën e mesme në Shtetet e Bashkuara.

Me më shumë se 333 mijë studentë të saj në kolegjet dhe shkollat pasuniversitare amerikane, Kina ka kohë që është furnizuesi kryesor i studentëve ndërkombëtarë në Amerikë. Tani, shumë nxënës të shkollave të mesme po ndjekin shembullin e studentëve: vjeshtën e kaluar, SHBA-ja dha 31 mijë e 889 viza studentore F-1 për të rinj kinezë që planifikonin të studionin në shkollat e mesme amerikane, nga vetëm 639 viza në vitin 2005.

Xu Yi është drejtor i firmës Fokusi tek Arsimi, në Pekin, që trajnon nxënës kinezë për të studiuar në SHBA.

"Ka një mikro prirje që është shumë e rëndësishme: gjithnjë e më shumë nxënës janë duke shkuar në Shtetet e Bashkuara për të kryer shkollën e mesme. Pra, këta të rinj lënë shtëpinë në moshën trembëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjeçare dhe kalojnë katër vjet në Amerikë për shkollën e mesme. Më pas ata shkojnë në universitet atje për katër vjet të tjera. Shumë prej tyre mund të bëjnë edhe doktoraturë ose master më pas. Kjo është një prirje e madhe për ne," thotë ai.

Disa të rinj duan t’i shpëtojnë presionit të madh ndaj tyre në Kinë, ku nxënësit shpesh studiojnë deri natën vonë, me shumë pak mundësi për aktivitete jashtëshkollore. Të tjerë, si 18-vjeçari Dan Xu i cili është duke studiuar për testin SAT për të aplikuar në një universitet amerikan, besojnë se shkolla e mesme në SHBA do t’i ndihmojë të arrijnë të pranohen në universitete prestigjioze amerikane.

"E gjithë arsyeja pse unë erdha në SHBA për shkollën e mesme është, sepse dua të shkoj në një kolegj të mirë. Kjo është arsyeja kryesore. Besoj se prindërit në Kinë përqëndrohen shumë tek studimi sepse në Kinë ka shumë konkurrencë. Ka shumë studentë kinezë që diplomohen çdo vit dhe është me të vërtetë e vështirë për të gjetur punë atje," thotë ai.

Sipas një raporti të fundit të Institutit të Arsimit Ndërkombëtar, numri i studentëve ndërkombëtarë në universitetet amerikane arriti shifrën rekord prej 819 mijë e 644 studentë në vitin akademik 2012/2013.

Prej tyre, 29 për qind vijnë nga Kina, sipas Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, duke e bërë këtë vend burimin më të madh të studentëve ndërkombëtarë në SHBA.

Por shumë nxënës kinezë janë të ndërgjegjshëm për konkurrencën e lartë për të hyrë në universitetet amerikane dhe tani ata janë duke kërkuar të fillojnë studimet e tyre në SHBA sa më herët. Aurora Guo është 16 vjeç, por ajo prej dy vjetësh studion në një shkollë të mesme private me konvikt në Filadelfia.

"Studioj në shkollën Baldwin në Filadelfia. Mësoj vërtet më shumë atje sesa po të studioja dhe të përgatitesha për testet në Kinë," thotë ajo.

Arsimi kinez e vë theksin tek disiplina dhe mbajtja mend e teksteve, prandaj studentët kinezë e shohin arsimin në Shtetet e Bashkuara si më fleksibël dhe ku ata mund të studiojnë lëndë që me të vërtetë u interesojnë.

Prirja e re në familjet e elitës kineze që dërgojnë fëmijët të kryejnë studimet jashtë vendit ka sjellë mundësi të reja biznesi për kompani të ndryshme në Pekin që ofrojnë shërbime përgatitore dhe këshillimi. Ata këshillojnë familjet dhe përgatisin adoleshentët që të jenë në të njëjtin nivel si moshatarët e tyre amerikanë, gjatë procesit të pranimit në universitete.

18-vjeçari Eric Xu nga Pekini kaloi një pjesë të viteve të tij të shkollës së mesme në Shtetet e Bashkuara, me anë të një programi këmbimi. Më pas ai vendosi se nuk do të shpenzonte pjesën tjetër të viteve të tij në shkollën e mesme duke u përgatitur për provimet e vështira të pranimit për universitetet kineze. Në vend të asaj mundësie, ai fitoi një vend për të studiuar në Universitetin prestigjioz Columbia në Nju Jork, ku tashmë ka filluar studimet.

"Në SHBA ata përqëndrohen tek diskutimet në klasë dhe tek mendimi yt, tek kapaciteti yt për të debatuar me të tjerët, si me profesorin për shembull dhe kjo është atmosfera akademike që unë dua të përjetoj," thotë ai.

Si student i Universitetit Columbia në Nju Jork, Eric Xu mendon se arsimi amerikan po e ndihmon të bëhet më i pavarur.

XS
SM
MD
LG