Lidhje

Studentët regjisorë në Los Anxheles

  • Mike O’Sullivan

Hollivudi - pjesë e Los Anxhelesit - është kryeqyteti botëror i kinematografisë dhe shumë nga ata që aspirojnë të bëhen regjisorë shkojnë atje me shpresën për të hyrë në biznesin e filmit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan njofton se universitetet rajonale janë gjithashtu një magnet për studentët të cilët shpresojnë të bëhen producentë apo regjisorë.

Studentët në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në Los Anxheles mësojnë rreth teknikave të përdorura në filmin Avatar të James Cameronit në vitin 2009 dhe filma të tjerë të mëvonshëm.

Studentja e vitit të fundit Ivy Lin, nga provinca Shandong e Kinës, po bën montimet e fundit në filmin e saj projekt. Aty flitet për dallimet kulturore, për dashurinë dhe gatimet kineze. Ajo thotë se projekti po e përgatit atë për një karrierë në kinematografi:

“Shpresoj të bëhem producente ose të marketoj filma në të ardhmen, veçanërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.”

Ajo grumbulloi fonde përmes internetit për të përfunduar filmin e saj dhe mori ndihmë nga Melinda Pan, studente nga Pekini që kryen produksionin në një projekt të sajin. Ajo thotë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë bashkëpunime, siç është filmi Iron-Man 3:

“Mendoj se filmat fantastiko-shkencorë janë ndoshta më popullorët pasi kërkohen shumë aftësi teknike dhe ata janë të kërkuar në Kinë. Por mua vetë më pëlqejnë historitë romantike,”
thotë studentja.

Filmi i Panit është historia e ngatërresave kulturore mes një sekseri në Shtetet e Bashkuara dhe një blerësi të vështirë nga Kina. Ajo shpreson të punojë si producente ose regjisore këtu ose në Kinë.

Profesorja e filmit Bridget Murnane thotë se kolegji u mëson studentëve aftësi të reja në median dixhitale dhe se universiteti shtetëror i Kalifornisë dhe të tjerë në Los Anxheles po tërheqin student të huaj të kinematografisë:

“Ata duan të bëjnë filma në zemër të vendit të famshëm të kinematografisë që është Los Anxhelesi.”


Atmosfera ndërkombëtare në kampus është pjesë e joshjes për studentin Nidhin Patel, nga India.

“Me miqtë, me kolegët dhe shokët e klasës, kjo është një përvojë tjetër mësimi që të rrit si njeri pasi këtu eksploron të gjitha kulturat," thotë studenti Patel.

Ai thotë se kjo ndërlidhje krijuese do ta përgatisë atë për një karrierë në industrinë ndërkombëtare në rritje të filmit.
XS
SM
MD
LG