Lidhje

Studime të reja: Adoleshentët kanë nevojë për më shumë ekzpozim ndaj dritës


Një numër studimesh tregojnë se adoleshentët nuk flenë sa duhet. Si rrjedhojë, kanë rezultate më të dobëta në shkollë dhe dëmtohet edhe shëndeti. Një studim i ri tregon se prindërit mund t’i ndihmojnë adoleshentët të shtojnë orët e gjumit, duke kontrolluar kohën që ekspozohen ndaj dritës.

Këta adoleshentë bëjnë pjesë në një studim mbi regjimin e gjumit të të rinjve. Syzet ngjyrë portokalli bllokojnë disa rreze që ndikojnë tek koha kur njeriu bie të flerë.

Studimi u krye nga Marianan Figero e Qendrës për Kërkime mbi Dritën në Institutin Politeknik Rensëler në New York.

“Është fakt që adoleshentët e kanë të vështirë të zgjohen në mëngjes.”

Kjo mund të ndikojë tek rezultatet e tyre në shkollë. Disa prindër u japin fëmijëve ilaçe t’i ndihmojnë të bien në gjumë, por zojna Figero po përpiqet të gjejë një mënyrë më të natyrshme:

“Po përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes: a mund të përdoret drita si mënyrë për t’i ndihmuar fëmijët të flenë më herët dhe të ndjehen më aktivë në mëngjes pa u dhënë tableta, pra pa ilaçe.”

Studimet tregojnë se regjimi i gjumit fillon të ndryshojë dramatikisht në moshën 13 vjeç. Në atë kohë, ora biologjike ndryshon dhe hormoni melatonin që ndihmon trurin të bjerë në gjumë, prodhohet në fund të ditës.

Prodhimi i këtij hormoni ndikohet edhe nga ekspozimi ndaj dritës:

“Synimi i studimit ishte të përpiqemi të kuptojmë ndikimin e dritës në ciklin e gjumit, të përdorim dritën që t’i vemë në gjumë më herët.”

Zonja Figero zbuloi se nëse të rinjtë ekspozohen më tepër ndaj dritës së mëngjesit, veçanërisht ndaj rrezeve blu, atëherë ora biologjike e përgatit trupin për gjumë më herët. Ajo thotë se rrezet blu i ndihmojnë adoleshentët të kurdisin orën e trupit në përshtatje me ciklin e ndryshimit mes ditës e natës.

Ajo zbuloi se nëse adoleshentët nuk ekspozohen ndaj dritës së mëngjesit, ata kanë prirje të bien në gjumë më vonë. Ky studim tregon se edhe drita e pasdites luan rol:

“Përmes këtij studimi po tregojmë se jo vetëm drita e mëngjesit është e rëndësishme për të ruajtur ciklin normal, por ndihmon edhe kufizimi i dritës së natës.”

Zonja Figero sugjeron që të rinjtë të vënë syze portokalli pasdite për të bllokuar rrezet blu.

Akademia Amerikane e Mjekësisë për Gjumin thotë se adoleshentët kanë nevojë për 9 orë gjumë çdo natë. Por shumë të rinj flenë vetëm 7 orë ose më pak. Kjo ndikon tek rezultatet në shkollë, tek humori, sjellja dhe shëndeti.

Studimet tregojnë se mungesa e gjumit mund të shtojë ritmet e obezitetit, tensionit të gjakut dhe sëmundje të tjera.

Zonja Figero thotë se shkollat mund të ndihmojnë për të nxitur një regjim të mirë gjumi duke shtuar sasinë e dritës në mëngjes, qoftë duke rritur ekspozimin ndaj dritës në klasë ose duke bërë disa minuta pushim nën qiell të hapur në mëngjes.

XS
SM
MD
LG