Lidhje

Studim i ri, ndikimi i njeriut tek ndryshimet klimatike

  • Rosanne Skirble

Një analizë e re e statistikave mbi ndryhshimet klimatike konfirmon se oqeanet e botës janë ngrohur gjatë 50 vjetëve të fundit dhe kjo ka ndodhur jo vetëm nga dukuritë natyrore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Rosanne Skirble sjell hollësi rreth studimit, i cili arrin në përfundimin se edhe aktivitetet njerëzore kanë luajtur rol.

Ndërsa studimet e mëparshme gjatë dekadës së fundit e kanë lidhur ngrohjen e oqeaneve me aktivitetet njerëzore, studimi i ri përdori një numër më të madh modelesh klimatike dhe një numër të dhënash më të mira vëzhguese për të arritur në të njëjtin përfundim.

Peter Gleckler është shkencëtar i klimës në Laboratorin Kombëtar Lawrence Livermore në Kaliforni dhe autori kryesor i studimit. Bazuar në analiza të reja, thotë ai, mënyra e vetme për të shpjeguar ngrohjen e oqeaneve është duke përfshirë ndikimet e efekteve serë gjatë 50 vjetëve të fundit.

“Nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë, ka shumë të ngjarë që të mos jemi në gjendje të shpjegojmë një ngrohje të ndjeshme të oqeaneve vetëm nga ndryshimet natyrore. Dhe ky është thelbi i studimit tonë, të përpiqemi të ndajmë atë që ne e quajmë një sinjal, paralajmërimin e ngrohjes klimatike nga efektet natyrale”.

Shkencëtarët bënë analiza për të shikuar ndryshimet natyrale në sistemin klimatik të Tokës. Zoti Gleckler thotë se simulimet kompjuterike nga shkaqet natyrale mbulojnë mijëra vjet të historisë klimatike.

“Kjo është një periudhë shumë më e gjatë se sa të dhënat observuese që ne disponojmë. Pra ne mund të krahasojmë shkaqet natyrale dhe se si ndryshojnë ato gjatë periudhave dhjetëvjeçare apo qindra vjeçare si dhe nga një model tek tjetri. Por kur i bashkojmë të gjithë këta faktorë, sidoqë ta shikojmë, ne arrijmë në të njëjtin përfundimin se paralajmërimi është shumë i fuqishëm”.

Studjuesit arritën në përfundimin se shkaqet natyrore ndikuan vetëm me rreth 10 për qind të ngrohjes së oqeaneve. Pjesa tjetër kishte të bënte me koncentrimet në rritje të gazeve serë, si për shembull dioksidi i karbonit, në atmosferën e Tokës. Madje ata arritën në përfundimin se shumica e ngrohjes është absorbuar nga oqeanet.
Temperatura mesatare e shtresave të sipërme të oqeanit, nga sipërfaqja deri në 700 metra thellësi u ngrit me 0.1 për qind grade Celsius gjatë 50 vjetëve të fundit. Zoti Gleckler thotë se ndërsa kjo shifër mund të mos duket e madhe, ky nivel ngrohjeje është mjaft i madh.

“Kjo ngrohje mund të ndikojë në qarkullimin e oqeanit, ndoshta edhe në qarkullimin e atmosferës. Dhe me që kalon një kohë e gjatë që të absorbohet kjo ngrohje, kemi të bëjmë me një periudhë kohe shumë më të gjatë se sa shkaqet natyrale nga një vit në tjetrin, që ne përjetojmë në sipërfaqen e Tokës”.

Studjuesi Peter Gleckler thotë se ngrohja e menjëhershme e shtresave të sipërme të 7 oqeaneve të botës nuk mund të shpjegohet vetëm nga ndryshimet klimatike natyrale. Përfundimi i pashmangshëm, thotë ai, është se aktivitetet njerzore, specifikisht çlirimi i gazeve serë nga makinat, ndërtesat dhe uzinat e fabrikat, kanë luajtur një rol të rendësishëm. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën Nature Climate Change, Ndryshimet Klimatike të Natyrës.
XS
SM
MD
LG