Lidhje

Studim për bisedimet Kosovë – Serbi


Studim për bisedimet Kosovë – Serbi
Studim për bisedimet Kosovë – Serbi

Një studim i publikuar sot në Prishtinë nxjerr në pah se bisedimet që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të vazhdojnë në mënyrë që të adresohen të gjitha çështjet tjera të mbetura për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Këto pohime u nxorën në raportin “ Dialogu Beograd – Prishtinë, nevojitet transformim i interesit vetanak”, i hartuar nga Qendra për Politika të Reja në Beograd dhe Projekti për Marrëdhënie Etnike në Kosovë. Në studim i bëhet thirrje të dy qeverive, që bisedimet t’i trajtojnë si një proces historik i cili ka vlerë dhe jo vetëm në funksion të integrimit në Bashkimin Evropian.

Drejtori i Qendrës për Politika të Reja në Beograd, Vlladimir Todoriq thotë se bisedimet mund të rrisin besimin në mes të dyja palëve, i cili sipas tij është i nevojshëm para se Serbia e Kosova të mund të adresojnë të gjitha dallimet e tyre.

“Mendoj se nuk ka besim për rezultatet e dialogut, sikurse në Prishtinë ashtu dhe në Beograd. Janë bërë ndoshta shumë gabime nga të gjitha palët, përfshirë edhe ato të ndërmjetësuesit të dialogut të Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, të dyja palët kanë përshtypjen se bëhet fjalë për një proces historik, që po ndodhë dhe se marrëveshjet e para që janë bërë do të jenë fillimi për një pajtim më të madh politik”, tha zoti Todoriq.

Leon Malazogu njëri nga autorët e kij studimi thotë se Bashkimi Evropian duhet të ushtrojë ndikimin e saj të madh për të ndihmuar të dyja palët që siç thotë ai ti ripërkufizojnë interesat e veta dhe të bashkëpunojnë në mes veti.

“Ndikimi i Bashkimit Evropian është mjaft i lart, ne kemi ardhur në rekomandim që duhet të jetë edhe më i ashpër, Bashkimi Evropian duhet të përdor karotën dhe shkopin e vet në mënyrë edhe më të fuqishme. Edhe tani është ajo fuqia e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues si dhe si një klub ekskluziv drejt të cilit dëshirojnë të shkojnë vendet, në një mënyrë që i ka tërhequr palët që të sillen në mënyrë konstruktive”, tha zoti Malazogu.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff tha se pavarësisht vështirësive që kanë kaluar Kosova e Serbia në këto bisedime, ato do të jenë në të mirën e të dyja vendeve.

“Mendoj se në fazat e hershme ishte mjaft e vështirë për neve që mbështesnim dialogun ta transmetojmë mesazhin tek populli kosovar se dialogu nuk është një mjet për ta tërhequr Serbinë drejt qëllimit për marrjen e statusit të kandidatit, se dialogu me të vërtetë është diçka që është në interesin e Kosovës. Por, mendoj se gjërat pavarësisht vështirësive, mbi të cilat kemi marrëveshje si ajo mbi vulat doganore, lirinë e lëvizjes e tani edhe marrëveshjen e shkëlqyeshme mbi menaxhimin e integruar të kufijve do të jenë të rëndësishme për investimet”, tha ambasadori britanik.

Në studim, Serbisë i bëhet thirrje për përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura ne bisedime dhe të filloj të bisedoj për tema të tjera me Kosovën, para se të hyj në zgjedhje. Ndërkaq, qeveria e Kosovës duhet të prezantojë planin për implementimin e Pakos së Presidentit Ahtisari për komunat veriore të Kosovës dhe të fillojë bisedimet e drejtpërdrejta me përfaqësuesit e serbëve të asaj pjese.

Sipas, shefes së delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri autoritetet vendase janë të përkushtuara për integrimin e qytetarëve të asaj pjese.

“Përmes vlerave të sundimit të ligjit, demokracisë, zgjedhjeve lokale, decentralizimit pastaj përmes investimeve ekonomike, me fjalë të tjera si qeveri jemi të gatshëm për një dialog qytetarë, me të gjithë qytetarët në pjesën veriore dhe veçmas me qytetarët serb të asaj pjese. Por, natyrisht që si qeveri jemi të pa kompromis me të gjithë ato struktura që janë kundër sundimit të ligjit, pra janë për barrikada dhe janë për logjikën e barrikadave”, tha zonja Tahiri.

Serbët në veriun e Kosovës filluan dje zhbllokimin e rrugës që çon drejt vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinje. Fillimi i largimit të barrikadave vjen pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë për menaxhimin e përbashkët të vendkalimeve kufitare, të arritur javën e kaluar në Bruksel.

Pas kësaj marrëveshjeje autoritetet serbe shpresojnë të marrin statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Prishtina pret që të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave si shpërblim për qasjen ndaj procesit të bisedimeve. Vendimi për këto çështje pritet të merret gjatë kësaj jave.

XS
SM
MD
LG