Lidhje

Tiranë: Shtohen shpejt organizatat jofitimprurëse


“Çdo vit regjistrohen mesatarisht 172 organizata të reja. Në vitin 2013 u themeluan 254 organizata të reja jofitimprurëse” - thotë Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit të Shkencave.

Instituti Shqiptar i Shkencave sapo ka përfunduar një studim mbi organizatat jofitimprurëse vendase dhe të huaja, që veprojnë në Shqipëri 9 vitet e fundit. Sipas të dhënave të nxjerra nga regjistri kombëtar i ndërmarrjeve, 8% e subjekteve janë organizata jofitimprurëse vendore dhe ndërkombëtare. Aktualisht Shqipëria ka të regjistruara 2110 organizata jofitimprurëse, shifër kjo që është rritur dy herë e gjysmë gjatë 9 viteve të fundit, ndërsa në 2005 ishin 794 organizata të tilla.

“Çdo vit janë regjistruar mesatarisht 172 organizata të reja. Në vitin 2013 u themeluan 254 organizata të reja jofitimprurëse, duke arritur numrin më të lartë të regjistrimeve” - thotë Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit, ndërsa minimumi i regjistrimeve ishte në vitin 2006 me 100 organizata jofitimprurëse.

Autorët e studimit vërejnë se një numër i madh organizatash të tilla janë themeluar në vite zgjedhore si 2009, 2011 dhe 2013. Megjithatë mungojnë shumë të dhëna të tjera mbi veprimtarinë konkrete të tyre në shoqëri dhe financimet apo edhe ndarja e thjeshtë se sa prej tyre janë shqiptare dhe sa janë të huaja.

Studimi nxori në dritë se megjithë pasivitetin e shoqërisë për të protestuar ndaj vështirësive të jetës, numri i organizatave vazhdon të rritet me shpejtësi. Sa më shumë shtohen hallet e çdo fushe dhe pasiviteti i shoqërisë civile aq më shumë rritet numri i organizatave jofitimprurëse. “E gjithë veprimtaria shoqërore jofitimprurëse në Shqipëri rregullohet me një ligj, i cili nuk e trajton realitetin si duhet. Ligji nevojitet të përmirësohet bazuar në përvojat më të mira rajonale dhe perëndimore” - thotë Aranita Brahaj.

Organizatat jofitimprurëse duhet të regjistrohen në gjykatë sipas ligjit dhe një regjistër kombëtar për to duhet ta mbajë Gjykata e Tiranës. Por gjykata, pohojnë autorët, nuk ka shfaqur statistika me tregues publik për organizatat e themeluara dhe të regjistruara. Studimi përfshin vetëm ato organizata që kanë kryer deklarime tatimore, pra me NIPT aktive.

Sipas tyre, mund të jetë më i lartë numri i organizatave që regjistrojnë akt themelimi në gjykatë, por nuk deklarohen pranë autoriteteve tatimore. Këtu ka edhe fshehje të parave edhe fshehje të një numri të konsiderueshëm të të punësuarve në struktura të shoqërisë civile, sepse nuk ka të dhëna se sa persona janë punësuar në organizata jofitimprurëse, ndaj nevojiten nisma ligjore për miradiministrim të sektorit, pohojnë studiuesit.

Organizatat jofitimprurëse vendore dhe ndërkombëtare kontrollohen edhe nga drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave, për të parandaluar financimet dhe mbështetjen e veprimtarive terroriste. Dy kontrolle të tilla u raportuan në vitin 2011 për veprimtari të dyshimta financiare dhe pesë raste në vitin 2012. Por kjo punë bëhet e pamundur nëse organizatat nuk regjistrohen në gjykatë dhe nuk bëjnë deklarata fiskale.

Nga ana tjetër, megjithëse organizatat jofitimprurëse përbëjnë 8% të NIPT-eve në shkallë kombëtare, autoritetet tatimore nuk kanë akte nënligjore, që të rregullojnë veprimtarinë e tyre me deklarime fiskale më të sakta. Kjo e vështirëson mjaft edhe punën hetimore kundër pastrimit të parave.


XS
SM
MD
LG