Lidhje

Studim rezultativ për rolin e qelizave burimore në kurimin e dëmtimeve të zemrës

  • Art Çajms

Studim rezultativ për rolin e qelizave burimore në kurimin e dëmtimeve të zemrës

Studim rezultativ për rolin e qelizave burimore në kurimin e dëmtimeve të zemrës

Një studim për rolin e qelizave burimore në kurimin e dëmtimeve të zemrës dha rezultate premtuese, duke i përmirësuar mjaft funksionet e saj. Fjala është për përdorimin e qelizave burimore tek pacientët me insufiçencë kardiake. Korrespondenti ynë, Art Chimes na dërgon hollësi të tjera.

Në rastet që mjekët i quajnë insufiçencë kardiake, zemra humbet aftësinë për të pompuar gjak. Janë raste që shkaktohen më së shumti nga goditjet në zemër, të cilat dëmtojnë një pjesë të indit duke bërë që muskuli i zemrës të mos jetë në gjendje të krijojë rrahje normale të saj.

Në studimin e ri, pacientëve iu injektuan qeliza burimore të marra nga vetë zemra e tyre. Këto qeliza, që quhen edhe kërcellore, gjenden kudo në trupin e njeriut dhe ndihmojnë në riparimin e indit në të cilin ndodhen.

Mjekët përdorin termin “fraksion i nxjerrjes” për të matur aftësinë pompuese të zemrës. Autori i studimit, Roberto Bolli i Universitetit të Luivilit, thotë se pacientët të cilëve iu injektuan qeliza burimore patën një përmirësim të ndjeshëm përsa i përket pompimit të gjakut nga zemra.

"Pas katër muajsh, aftësia pompuese e zemrës u përmirësua në mënyrë të dukshme. Fraksioni i nxjerrjes u rrit 8 përqind dhe pas një viti 12 përqind. Kjo është një rritje mjaft e madhe, shumë më e madhe nga ajo që shpresonim kur filluam studimin."

Dr. Bolli thotë gjithashtu se pati një përmirësim të ndjeshëm në aftësinë e pacientëve për t’u marrë me ushtrime fizike.

Pjesëmarrësit në studim iu nënshtruan skanimeve përpara dhe pas trajtimit. Një vit pas injektimit të qelizave burimore, skanimet tregonin se plagët e muskulit të dëmtuar të zemrës u pakësuan 30 përqind.

"Pakësimi i plagëve tregon se trupi është duke prodhuar muskul të ri për të zëvendësuar indin e dëmtuar. Pra është provë se qelizat burimore po e ripërtërijnë muskulin e zemrës."

Studimi i tanishëm është mjaft i vogël, në të marrin pjesë vetëm 16 pacientë tek të cilët po përdoren qeliza burimore ndërkohë që 7 të tjerë janë në grupin e pacientëve me të cilët bëhen krahasimet. Megjithatë, analistët thonë se rezultatet e mira ngjallin optimizëm sepse studimi është kryer në kushte mjaft cilësore.

Dr. Roberto Bolli i botoi rezultatet në revistën "The Lancet" dhe i paraqiti ato në konferencën e Shoqatës Amerikane të Zemrës në Florida.

XS
SM
MD
LG