Lidhje

Studime të reja për konstatimin e Alcajmerit para vdekjes së pacientit

  • Art Çajms

Studime të reja për konstatimin e Alcajmerit para vdekjes së pacientit

Studime të reja për konstatimin e Alcajmerit para vdekjes së pacientit

Sëmundja e Alcajmerit zakonisht mund të diagnostikohet përfundimisht vetëm pasi pacienti vdes, kur autopsia zbulon disa përbërje të veçanta në tru. Megjithatë, kohët e fundit shkencëtarët kërkojnë për një lloj shënuesi biologjik – një karakteristikë që mund të dallohet kur pacienti është ende gjallë.

Kërkime e fundit shkencore sinjalizojnë se sëmundja në formën e saj të fshehur fillon vite – ndoshta dhjetëvjecarë – para se të shfaqet ndonjë simptomë. Kejal Kantarci studion Alcajmerin tek Klinika Meio.

“Ne donim të studionim nëse njerëzit mbi 70 vjeç, që shfaqin aftësi njohëse normale, kanë apo jo shenja të Alcajmerit apo të ndonjë parregullsie tjetër mendore”.

Në një studim të ri, Kantarci dhe kolegët e saj vendosën më tepër se 300 të moshuar në një procedurë imagjinimi të avancuar.

Pjesëmarrësit iu nënshtruan tomografisë me lëshim pozitronesh për zbulimin e beta-amiloideve në tru që mund të paralajmërojnë Alcajmerin. Rreth një e treta e tyre pati sasi të konsiderueshme beta-amiloidesh të depozituara.

Ata gjithashtu iu nënshtruan një lloji të vecantë rezonance magnetike për të parë për praninë e një dalluesi biologjik që mund të sinjalizojë praninë e Alcajmerit. Dhe personat me sasi të konsiderueshme beta-amiloidesh të depozituara kishin tendencën e pranisë së dalluesit kolinë/kreatinë në nivele të larta. Të njëjtët persona, gjithashtu, patën rezultate të dobëta në testimet e aftesive njohëse.

“Ne zbuluam një lidhje midis ndryshimeve biokimike në tru që ne matëm dhe aftësive njohëse të individëve”.

Spektroskopia me anë të rezonancës magnetike i identifikoi njerëzit që patën rezultate të ulëta në testimet e ndryshme të funksioneve njohëse, dhe që mund të jenë duke zhvilluar sëmundjen e Alcajmerit.

Studiuesit paralajmërojnë se spektroskopia me anë të rezonancës magnetike nuk mund të përdoret për diagnostikimin e Alzajmerit. Por ky studim dhe kërkime të tjera shkencore tregojnë që është e mundur që së shpejti të mund të identifikohen njerëzit që janë në rrezik nga Alcajmeri dhe të parregullsive të tjera mendore para se ata të shfaqin ndonjë simptomë.

Kantarci pranon se kjo nuk do të ndihmojë pacientet në të tashmen, sepse nuk ka ende kura të dobishme.

“Por kur ata vijnë tek ne, do të ketë një mundësi për të identifikuar ata individë që kanë aftësi normale të cilët do të përfitojnë prej trajtimeve parandaluese”.

Për më tepër, studiuesit që përpiqen të zhvillojnë kura do të mund të përdorin këtë dallues biologjikë në testime për të parë se sa i efektshëm një ilaç i ri mund të jetë.

Studiuesja e Klinikës Maio Kejal Kantarci dhe kolegët e saj i botuan rezultatet e studimit të tyre në revistën “Neurology”.

XS
SM
MD
LG