Lidhje

Bursa dhe programe për studimet e larta në SHBA


Studimet universitare në Shtetet e Bashkuara përbëjnë investimin më të madh monetar që bëjnë prindërit amerikanë për fëmijët e tyre. Për studentët ndërkombëtarë, kjo barrë financiare është veçanërisht e rëndë pasi ata nuk mund të përfitojnë nga shumë bursa apo kredi të buta që ofrohen për shtetasit amerikanë.

Bursa për të paguar studimet në SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:52 0:00

Kostoja e studimeve universitare në Shtetet e Bashkuara shkon në mbi 60 mijë dollarë në vit për universitetet e njohura. Një kosto e tillë është vështirë të përballohet dhe dekurajon shumë të huaj që e kanë ëndërr të ndjekin studimet në Shtetet e Bashkuara. Por ka plot alternativa financimi si për amerikanët edhe për studentë të huaj. Departamenti amerikan i Shtetit është porta e mundësive për shtetasit e huaj që duan të aplikojnë për këto fonde. Jarred Butto është përgjegjës i programit Education USA, një portal informacioni për të huaj të interesuar për të studiuar në Shtetet e Bashkuara.

“Ky është një rrjet me mbi 400 qendra informative në 170 vende të botës, ku ata që aspirojnë të studiojnë në Shtetet e Bashkuara mund të marrin këshilla mbi procesin e aplikimit në universitetet amerikane, fondet e ndryshme për të financuar studimet, aplikimin për vizën dhe përgatitjet për të ardhur në Shtetet e Bashkuara”.

Faqja elektronike e programit, me adresën EducationUSA.info ka një listë të qendrave informative ndër të cilat edhe qendra për Shqipërinë, Kosovën, apo Maqedoninë. Aty ofrohen të dhënat për programe specifike të qeverisë amerikane për çdo vend, apo bursa që ofrojnë universitete të ndryshme amerikane, ose shkëmbime shkencore e kulturore me fokus të caktuar.

Departamenti i Shtetit financon edhe programe specifike arsimore dhe kualifikimi:

“Të dhënat për këto programe specifike gjenden në faqen elektronike me adresën Exchanges.state.gov”.

Ky link ofron informacion për programe të shkurtra si për shembull kurse për individë nga vende me popullatë myslimane për të rritur mirëkuptimin ndërkulturor, trajnim për të përmirësuar mësimdhënien për vajzat, shkëmbime për atletë e trajnerë që mund të vijnë në Shtetet e Bashkuara për eksperiencë.

“Për të rinjtë nga Evropa ofrojmë Institutin Veror për Udhëheqësit e Rinj Evropianë, një program i shkurtër që mbledh të rinj universitarë nga Evropa për t’i njohur me eksperiencën amerikane dhe për t’i prezantuar me praktika të ndryshme udhëheqëse”.

Ky program i shkurtër, megjithëse nuk ofron diplomë universitare, shërben si një përvojë e vyer në rezymenë tuaj dhe ju bën kandidat më të fortë për një bursë në shkenca politike në një universitet amerikan. I ngjashëm është edhe programi Benjamin Franklin.

Konkurrenca është tepër e fortë, dhe kandidatët duhet të jenë të përgatitur për të bërë kompromis me dëshirat e tyre. Ata që kanë ëndërruar të studiojnë në një universitet të caktuar, mund të zhgënjehen kur mësojnë për koston e papërballueshme. Zoti Butto sugjeron që aplikantët të jeni të hapur ndaj alternativave të tjera, si për shembull shkolla teknike dy apo katër vjeçare, që njihen si kolegjet e komuniteteve, të cilat ofrojnë arsim të lartë me kosto shumë më të ulët.

Përveç programeve të sponsorizuara nga qeveria amerikane, ka bursa nga sektori privat sidomos për fusha të teknologjisë dhe shkencës. Për ata që nuk e gjejnë veten tek këto programe, ose nuk e braktisin dot ëndrrën për të ndjekur një degë apo universitet të caktuar, po të jetë vullneti, gjendet edhe zgjidhja. Dr Joie yager-Hyman, e cila drejton firmën konsulente College Prep 360 që ndihmon të rinj të aplikojnë me sukses në universitete, shpjegon se për kandidatin e fortë ka gjithmonë alternativa:

“E mira është se universiteti amerikan është i interesuar që kandidatët që i ka pranuar, të vijnë për studime. Pra nëse të kanë pranuar, të duan në klasë. Lidhu me zyrën e financave, shpjegoju si e ke situatën dhe ata janë të prirur të të ndihmojnë”.

Dr. Yager-Hyman thotë se në këtë rast aftësia në komunikim dhe përgatitja e hershme të ndihmojnë shumë, pasi fondet janë të kufizuara dhe zakonisht del i fituar ai që aplikon i pari.

Procesi është i vështirë dhe po bëhet përditë më konkurrent, kostoja e arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet me ritme galopante. Por për ata që këmbëngulin dhe ofrojnë një pervojë të pasur e unike, ka plot shanse për ta bërë realitet ëndrrën e një diplome amerikane.

XS
SM
MD
LG