Lidhje

Tre të vdekur në Haiti nga stuhia tropikale Isaac


Stuhia po lëviz tani drejt veriut dhe pritet të godasë së shpejti Kubën

Stuhia tropikale Isaac po i afrohet Kubës, pasi goditi sot me pasoja të shumta ishullin Haiti në Karaibe.

Zyrtarët haitianë njoftojnë se stuhia la të vdekur tre vetë, rrëzoi disa struktura dhe solli përmbytje shqetësuese.

Punonjësit e ekipeve të ndihmave po përpiqen të përllogarisin dëmet në vend, ndërkohë që qindra mijëra vetë ende strehohen në kampe fushimi, që nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2010.

Një ekip i Kryqit të Kuq po viziton kampet e refugjatëve në Porto Prins. Një përfaqësuese e ekipit tha për Zërin e Amerikës se disa nga tendat në një kamp ishin dëmtuar. Ajo shtoi se popullata është e shqetësuar nga rreziku i rrëshqitjes së dheut.

Stuhija tropikale po i afrohet tani Kubës dhe pritet të godasë gadishullin e Floridës javën e ardhshme. Kërcënimi i stuhisë ka zgjuar shqetësime në Florida, ku do të zhvillohet Kuvendi i Partisë Republikane në qytetin perëndimor të Tampas.
XS
SM
MD
LG