Lidhje

Nju Jorku nën barrën e pasojave të uraganit


Shumë banorë të Nju Jorkut ende përballen me mungesa të artikujve dhe shërbime bazë, përfshirë energji elektrike, ngrohje dhe ushqime, si rezultat i stuhisë shkatërrimtare Sandy që goditi bregun verilindor të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Obama tha sot se vendi ka përpara një rrugë të gjatë, deri sa të arrijë që banorët e Nju Jorkut, Nju Xhërsit, Konektikatit dhe rajoneve përreth të kenë të gjithë artikujt dhe e nevojshme për t’iu kthyer përsëri normalitetit. Ai tha se zgjidhja e kësaj krize është përparësia numër një për vendin. Presidenti i bëri këto komente në një takim me drejtorin e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Urgjencave, FEMA, Craig Fugate, me Sekretaren e Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të tij. Ata diskutuan mbi përpjekjet për rikthimin e energjisë elektrike, heqjen ujit nga rajonet e përmbytura, sigurimin e strehimit të përkohshëm për njerëzit që i janë shkatërruar shtëpitë dhe rifillimin e sistemit të transportit.

Në një konferencë shtypi, guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo tha se zyrtarët po ashtu janë duke u përpjekur për sigurimin e karburantit, pas mungesave në furnizim pas stuhisë. Zoti Cuomo tha se mungesa e karburantit u shkaktua ngaqë Roja Kufitare e mbylli portin, duke paralizuar kështu shpërndarjen e karburantit përmes kamionëve cisternë. Por ai shtoi se gjendja i është kthyer tani normalitetit. Po ashtu, Departamenti i Mbrojtjes tha se do të ngrejë qendra për shpërndarjen e karburantit në zonën e qytetit të New Yorkut, që do të shpërndajnë lëndë djegëse pa para për banorët.

Sipas përllogaritjeve fillestare, stuhija ka shkaktuar nga 20 deri në 50 miliardë dollarë dëme. Dhe çdo ditë që kalon pa u rihapur bizneset, i kushton aktivitetit rajonal ekonomik një humbje prej rreth 200 milionë dollarësh.
XS
SM
MD
LG