Lidhje

SHBA: Fillon debati mbi subvencionet bujqësore


Subvensionet për fermerët amerikanë do të debatohen në Kongresin amerikan. Kohët e fundit të dyja dhomat e Kongresit filluan diskutimin e projekt-ligjit për fermat, një projekt i madh që pritet të zgjasë 5 vjet, që përfshin programe subvencionimi, konservimi dhe ushqyerje prej 500 miliardë dollarësh. Shtetet e Bashkuara janë larguar nga politikat që mund të dëmtojnë fermerët në vende të tjera, por kritikët thonë se propozimet e projekt-ligjit të ri kërcënojnë një pjesë të këtij përparimi të bërë.

Stereotipi i fermerit amerikan që mbështetet nga fondet qeveritare është disi i vjetëruar. Pagesat e qeverisë për fermerët amerikanë, që kultivojnë artikuj si miser, drithëra, fasule sojë, pambuk ose kikirikë përbëjnë vetëm 8 për qind të të ardhurave të tyre. Kjo është një prej niveleve më të ulëta mes vendeve të zhvilluara, thotë analisti i politikave bujqësore, Vaclav Vojtech në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

“Fermerët amerikanë nuk janë në nivelet fare të ulëta, por ata janë shumë poshtë krahasuar me mesataren e Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, që është rreth 20 për qind”.

Një prej arsyeve të subvencioneve të ulëta ka lidhje me çmimet e larta të të korrave në botë. Subvencionet, që u paguhen fermerëve kur tregjet bien, kanë ndikuar negativisht kohët e fundit tek ta.

Në fakt, ndërsa çmimet e grurit janë rritur shumë, fermerët kanë siguruar përfitime rekord në vitet e fundit, megjithatë ata ende marrin rreth 5 miliardë dollarë në ato që quhen “pagesa direkte”, subvencione që fermerët i marrin në çdo kohë, edhe nëse nuk kultivojnë të korra.

Por Kongresi po shqyrton mundësinë e shkurtimit të 20 deri 40 miliardë dollarëve nga projekt-ligji për fermerët. Edhe grupi më i madh i fermerëve amerikanë, Federata e Fermave Amerikane, thotë se pagesat direkte do të eliminohen. Mary Kay Thatcher është kryelobiste e kësaj federate.

“Politikisht ne nuk mund t’i justifikojmë më këto pagesa. Njerëzit vënë në pikpyetje faktin që fermerët marrin pagesa edhe nëse nuk kultivojnë asnjë bimë”.

Por kjo nuk do të shënojë fundin e subvencioneve për fermerët amerikanë, thotë ekonomisti David Orden i Institutit Kërkimor mbi Politikat Ushqimore Ndërkombëtare.

“Dikush mund të mendojë se fermerët amerikanë do të humbasin deri në 5 miliardë dollarë në vit nga pagesat direkte dhe kjo tingëllon si një ndryshim i mirë në politikën bujqësore dhe një përfitim për taksapaguesit. Por nëse analizon ndryshimet, që i janë bërë projekt-ligjit të ri, në fakt fermerët do të marrin përsëri rreth 90 për qind të asaj shume”.

Projekt-ligji që po shqyrtojnë të dyja dhomat e Kongresit amerikan përfshin klauzola që do të ngrinin subvencionet kur çmimet e të korrave bien përsëri. Një propozim ngre tavanin e çmimin të tregut, nën të cilin fermerët do të paguheshin. Një propozim tjetër mbron të ardhurat e tyre kur çmimet bien.

Zoti Orden thotë se të dy versionet do të zemëronin fermerët në vende të tjera sepse propozimet në bazë të projekt-ligjit të ri në Shtetet e Bashkuara hyjnë në fuqi në një kohë që fermerët nëpër botë përballen me rënien e çmimeve.

Në bazë të regullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, me projekt-ligjin e ri, Shtetet e Bashkuara lejohen të shpenzojnë deri në 19 miliardë dollarë në formë subvensionesh për fermat. Zoti Orden thotë se kjo shumë do të tejkalohej vetëm në rastin e një viti tepër të vështirë.
Por negociatorët kanë punuar për më shumë se një dekadë për regullat e reja të Organizatës Botërore të Tregtisë, të cilat do të ulnin këtë kufi dhe do t’u kërkonin vendeve të tjera që të hapnin tregjet e tyre. Zoti Orden thotë se këto bisedime nuk do të sjellin asnjë rezultat dhe kjo është një prej arsyeve që projekt-ligji për fermat në Shtetet e Bashkuara po merr këtë formë.

“Projekt-ligji për fermat i vitit 2013, i parë në këtë kontekst, nuk do të shkelë angazhimet e tanishme, por do të përbëjë politikisht një zbrapsje, që do të ketë pasoja në të ardhmen, perspektivat e ardhme të fermerëve amerikanë dhe të eksportuesve”.

Zoti Orden thotë se projekt-ligji i ri venit perspektivat e udhëheqjes amerikane për një marrëveshje të re të Organizatës Botërore të Tregtisë, që do të përmirësonte mundësitë për fermerët në gjithë botën.
XS
SM
MD
LG