Lidhje

Bisedime mes palëve ndërluftuese të Sudanit të Jugut


Lirimi i bashkëluftëtarëve të burgosur do të jetë një përparësi kryesore për kryengritësit jug-sudanezë gjatë bisedimeve të paqes sot në Etiopi. Qeveria arrestoi disa udhëheqës të lartë të kryengritësve gjatë ofensivës fillestare në Juba muajin e kaluar.

Delegatë nga grupi i ish-nënpresidentit Riek Machar e konsiderojnë lirimin e të burgosurve si një synim të rëndësishëm të bisedimeve për paqe.

Kryengritësit dhe delegateët e qeverisë së Sudanit të Jugut do të fillojnë sot bisedime të drejtoprdrejta.

Zëdhënësi për trupat kryengritëse Hussein Mar Nyuot tha se çështja e të ndaluarve është një sfidë shumë serioze, pasi ai thotë se ata duhet të jenë të pranishëm në negociata.

"Në rastin e të burgosurve, ata u ndaluan nën akuzat për një të ashtu-quajtur grusht shteti. Këta janë anëtarë të lartë të lëvizjes. Duam që ata të jenë pjesë e bisedimeve, pasi konflikti është rezultat i një prej shqetësimeve kryesore të Partisë sonë”.

Delegatët mbërritën në Adis Abeba të mërkurën dhe të enjten dhe po zhvillojnë takime kokë-më-kokë me zyrtarë të Bllokut të Afrikës Lindore.

Negociatat do të fillojnë në një kohë që vazhdojnë luftimet në Sudanin e Jugut. Kryengritësit kanë rimarrë qytetin e rëndësishëm Bor, 120 km larg Jubas. Ata kontrollojnë gjithashtu shtetin Jonglei dhe dy shtete të pasura me naftë – Nilin e Epërm dhe shtetin Unity.

Përveç mundësisë për një armpushim, ka gjasa të diskutohet edhe shpërthimi i dhunës etnike mes përkrahësve të zotit Machar, që i përket grupit etik Nuer dhe përkrahësve të Presidentit Salva Kiir, i grupit etnik Dinka.

Por zëdhënësi Nyuot tha se temat e diskutimit nuk janë përcaktuar ende:

"Po nisemi me një bindje pozitive dhe të shohim si do të shkojë. Nuk dua të bëj parashikime. Nuk dua të përcaktoj rendin e ditës para se të gjithë të kenë rënë dakord”.

Luftimet në Sudanin e Jugut filluan më 15 dhjetor kur një grup ushtarësh sulmoi komandën e ushtrisë në Juba. Të nesërmen, Presidenti Kiir akuzoi zotin Machar për tentativë për grusht shteti.

Luftimet kanë vrarë mbi 1000 vetë dhe kanë zhvendosur mbi 200 mijë të tjerë. Ka shqetësime se konflikti mund të shndërrohet në një luftë të përgjithshme.

Presidenti Kiir ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje për ndarje pushteti.

Sudani i Jugut është vendi më i ri në botë. Ai fitoi pavarësinë, pas shkëputjes nga Sudani në korrik 2011, pas një lufte të përgjakshme për disa dekada.
XS
SM
MD
LG