Lidhje

Suksesi i këngëtares shqiptare Rita Ora

  • Zamira Edwards

Këngëtarja shqiptare me banim në Britani Rita Ora ka shumë arsye që të jetë optimiste. Kënga e saj e parë solo "R.I.P." është aktualisht në vend të parë në iTunes në Britani, madje ajo po cilësohet si Rihanna e ardhshme.

21 vjeçarja nga Kosova ka nënshkruar kontratë për të regjistruar këngë në studion Roc Nation të këngëtarit të famshëm Jay-Z, dhe nga fundi i vitit pritet të publikojë albumin e saj të parë.


Rita po shijon frytet e famës së saj si yll i muzikës pop, status që e kërkon atë të jetë përherë me paraqitje të shkëlqyer.

"Një prej gjërave më të preferuar për mua është të vishem mirë kur bëj rregjistrimet. Më pëlqejnë shumë rrobat dhe nuk nxitohem për të vendosur se çfarë do të vesh sepse në fakt e kam të vështirë të vendos. Çdo vajze i pëlqen të vishet mirë dhe të duket e bukur".

Hezitimi i Ritës nënkupton që dalja nga shtëpia në kohë për të nuk është aq e lehtë.

"Më duhen dy orë të bëhen gati, që nga koha kur zgjohem, dëgjoj pak muzikë, bëj ca vezë për mëngjes dhe më në fund futem në dush, regullej flokët dhe bëj tualetin. Dhe për të gjithë këtë proces më duhen dy orë", shpjeson ajo.

Artistja mund të jetë e re në skenën e muzikës, por ajo është e njohur për paraqitjen e saj karakteristike, veçanërisht të kuqin e saj të buzëve:

"Më pëlqen shumë i kuqi i buzëve. Sot në fakt u përpoqa të vija një të kuq buzësh që shkon me fustanin, por nuk ia arrita me sukses përfundove me një ngjyrë të kuqe".

Rita Ora u rrit në Londrën perëndimore, por ajo ka lindur në Prishtinë. Ajo shkoi me prindërit e saj në Britani dhe megjithëse muzika e saj mund të jetë krijuar në Shtetet e Bashkuara, ajo thotë se stili i saj është i ndikuar nga kryeqyteti britanik.

"Londra është një qytet shumë eklektik. Mendoj se stili i Londërs është shumë i ndryshëm sepse këtu vijnë stile nga e gjithë bota sepse shumica e banorëve janë të ardhur në kryeqytetin britanik nga vende të ndryshme. Dhe kjo është një nga arsyet që më pëlqen të jetoj në Londër", shton ajo.

Në këngën e Ritës "R.I.P." këndon edhe britaniku i famshëm Tinie Tempah, këngë kjo e kompozuar nga ylli i muzikës R n' B, Drake. Ajo ka dalë në shitje dhe mund të shkarkohet edhe në internet. Rita këndon edhe në këngën e sukseshme të këngëtarit tjetër britanik, DJ Fresh, "Hot Right Now," e cila po ashtu ka dalë në shitje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG