Lidhje

Vritet një anëtar i organizatës Hezbollah në Siri


Samir Kantar

Samir Kantar

Grupimi militant libanez Hezbollah njoftoi se një sulm ajror izraelit pranë kryeqytetit sirian vrau sot një ndër anëtarët e tij. Samir Kantar ishte ndër qindra luftëtarë të Hezbollahut që kanë shkuar në ndihmë të forcave të Presidentit sirian Assad. Pas rreth tre dekadash burgimi në Izrael, ai ishte liruar në vitin 2008 gjatë një shkëmbimi të burgosurish me organizatën Hezbollah dhe ishte pritur si hero në Liban.

Një ministër izraelit komentoi rreth të dhënave se është vrarë sot një militant libanez nga një sulm ajror izraelit pranë kryeqytetit të Sirisë.

“Kantar njihet si një terrorist shumë i dhunshëm. Vite më parë ka vrarë një familje civilësh, ndër ta edhe një foshnje, dhe vazhdon të jetë i përfshirë në terrorizëm. Kështu që, nëse i ka ndodhur diçka, nuk mendoj se do t’i vijë keq asnjë personi të civilizuar. Por, e përsëris se e mësova prej mediave ndërkombëtare dhe nuk mundem ta konfirmoj,” tha ministri Yuval Steinitz.

Samir Kantar është ndër qindra anëtarë të Hezbollahut që kanë shkuar në Siri për të luftuar krahas forcave të Presidentit Bashar al-Assad nga fillimi i luftës civile në mars 2011.

Sulmi ajror i sotshëm goditi një ndërtesë në Jaramana, në rrethinat e Damaskut.

Nuk pati një konfirmim të menjëhershëm prej Izraelit.

Kantar ishte për gati tre dekada në një burg izraelit, i dënuar në vitin 1979 për një sulm që vrau një polic izraelit dhe dy persona të tjerë, ndër ta edhe një vajzë e vogël.

XS
SM
MD
LG