Lidhje

SHBA, operacion masiv për kapjen e vrasësit


Një operacion masiv po zhvillohet sot në shtetin Uashington për kapjen e sulmuesit me armë që la pas pesë viktima.

Autoritetet në shtetin e Uashingtonit, në veriperëndim të SHBA-së, thanë se pesë persona humbën jetën gjatë një sulmi me armë në një qendër tregtare mbrëmjen e djeshme.

Katër gra dhe një burrë u vranë gjatë të shtënave në dyqanin “Macy’s”. Katër gratë vdiqën menjëherë ndërsa viktima e pestë mashkull vdiq më vonë nga plagët.

Policia e shtetit të Uashingtonit njoftoi se sulmuesi vazhdon të jetë në kërkim pasi u pa të largohej drejt një autostrade në qytetin Burlington, rreth 100 kilometra pranë qytetit Seattle.

Autoritetet kanë botuar një fotografi të të dyshuarit në mediat sociale dhe thanë se nuk dihet ende motivi i sulmit. Ai përshkruhet me origjinë hispanike dhe mbante veshur një bluzë të zezë.

FBI-ja njoftoi se agjentët e saj në Burlington do të ndihmojnë autoritetet e rendit.

Qendra tregtare “Cascade Mall” është një godinë e mbyllur brenda të cilës ndodhen dyqane të njohura, si “JC Penney”, “TJ Maxx”, “Macy’s”, si dhe restorante dhe një kinema.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG