Lidhje

Sulm në ambasadën e Maqedonisë në Kosovë – Prishtina dënon incidentin


Në Kosovë, institucionet dhe partitë politike, dënuan një sulm mbi ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë.

Policia e Kosovës njoftoi se gjatë natës, persona të panjohur kanë hedhur një shishe me benzinë më ambasadën e Maqedonisë, por sulmi ka kaluar pa pasoja në njerëz dhe pa dëme materiale. Sipas hetimeve të deritashme, policia dyshon se në incident ishin përfshirë tre persona të cilët kanë hedhur mjetin shpërthyes nga një makine në lëvizje.

Sulmi u dënua nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila nëpërmjet një komunikate, e ka cilësuar sulmin si një akt të papranueshëm për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Ky akt, i dënueshëm nga të gjithë, është në kundërshtim me marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe ndërshtetërore mes Kosovës dhe Maqedonisë, marrëdhënie këto që kanë njohur zhvillime dhe zgjerim të vazhdueshëm, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.

Ministria e Punëve të Jashtme duke e dënuar sulmin, e cilëson atë tërësisht të papranueshëm dhe në dëm të raporteve miqësore mes dy shteteve. Ministria e jashtme shpreh me këtë rast përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të shtetit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë.

Dënimit i janë bashkuar edhe një pjesë e partive politike. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se aktet e tilla, pavarësisht nga kush kryhen apo nxiten, në asnjë mënyrë nuk do të mund të ndikojnë në marrëdhëniet e mira që ekzistojnë në mes të dyja vendeve. Në reagimin e kësaj partie thuhet se, aktet e tilla, kanë për qëllim pikërisht prishjen e këtyre marrëdhënieve, ndaj nuk i shërbejnë së ardhmes dhe përparimit të askujt, meqë bien në kundërshtim të plotë me synimet e rajonit për integrimet euroatlantike.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se incidentet e tilla synojnë të dëmtojnë marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa nënvizon se fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi ndërshtetëror midis Kosovës dhe Maqedonisë është me interes të veçantë.

Në të gjitha reagimet u bëhet thirrje organeve të rendit që sa më shpejtë t’i identifikojnë dhe t’i nxjerrin para drejtësisë autorët e këtij incidenti.

Incidenti i mbrëmshëm pasoi një valë incidentesh ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, të cilat janë parë më shqetësim në Kosovë.

XS
SM
MD
LG