Lidhje

SHBA, zgjedhjet dhe sulmet kibernetike

  • Steve Baragona

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara po afrojnë me shpejtësi dhe zyrtarët e lartë amerikanë janë në gatishmëri për sulme kibernetike. Shqetësimet vijnë pas një vargu ndërhyrjesh në sistemet kompjuterike amerikane.

Ndërhyrja në email-at e Komitetit Kombëtar Demokrat. Ndërhyrja në sistemet e regjistrimit të votuesve në Illinoi dhe Arizona. Rusia dyshohet për të dyja. Në një séance dëgjimore në Komisionin për Shërbimet e Armatosura të martën, senatori John McCain ngriti pyejtjen nëse zgjedhjet e nëntorit do të jenë ndërhyrja tjetër e radhës.

"A ka ndonjë skenar të mundshëm që ata mund të sabotojnë rezultatet e votimeve?"

"Mendoj se ka skenarë dhe ne mund të shohim që këto aftësi të aplikohen në aspekte të caktuara."

Admirali Michael Rogers, kreu i Komandës Kibernetike Amerikane, thotë se një sulm në shkallë të gjerë mund të jetë i vështirë pasi makinat dhe procedurat e votimit ndryshojnë mes 10 mijë juridiksioneve në mbarë vendin.

Zyrtarët po punojnë për të mbajtur listat dhe makinat e votimit larg hakerave dhe manipuluesve.

Ky ishte mesazhi që u dha në Kongres në seancën e Komisionit të Shkencës. Tom Schedler është sekretar i shtetit të Luizianës.

"A jemi të shqetësuar për një ndërhyrje të mundshme më sistemin e zgjedhjeve? Sigurisht që jemi. Por manipulimi i votës është më i vështirë nga sa mendoni."

Schedler tha se makinat e votimit në Luiziana nuk lidhen asnjëherë me internetin. Fletët e votimit çohen fizikisht në qendër dhe numërimi i votave qarkullohet në një cikël të mbyllur dhe jo në internet.

Por ka mënyra të tjera për të sulmuar një kompjuter përveç internetit.

Stuxnet, është virusi që dëmtoi një impiant bërthamor iranian, thotë profesori i shkencave në universitetin Rice, Dan Wallach.

"Ai impiant bërthamor mendohej të ishte i siguruar dhe nuk ishte i lidhur me internetin. Megjithatë ky virus ishte në gjendje të vepronte."

Ai thotë se sistemi zgjedhor i decentralizuar në Shtetet e Bashkuara ofron vetëm mbrojtje të pjesshme.

"Ata nuk kanë nevojë të sulmojnë çdo zonë në çdo shtet. Mjafton të sulmojnë shtetet kyçe, ku një ndryshim i vogël ka ndikim të madh."

Por Schedler thotë se kërcënimi i sulmeve kibernetike është ekzagjeruar. Por thjesht kërcënimi mund të jetë i rrezikshëm.

"Njoftimet për sulme kibernetike i kanë bërë votuesit të ngrejnë në pikëpyejtje nëse vota e tyre do të numërohet. Dhe kjo është më shkatërruese sesa potenciali i një sulmi kibernetik."

Në fund të fundit, një fletë-votimi është mbrojtja më e mirë, thonë ekspertët. Tre të katërtat e votave këtë vit do të lënë gjurmë në letër.

Më shumë shtete po kërkojnë mbështetje të sistemeve kompjuterike të votimit me fletë-votimi. Por ato nuk do të jenë gati tani që mbeten vetëm dy muaj nga zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG