Lidhje

Raport i AI për sulmet me avionë pa pilot

  • Ayaz Gul

Grupi ndërkombëtar i të drejtave të njeriut Amnesty International thotë se Shtetet e Bashkuara "duket të kenë kryer shkelje shumë serioze" të të drejtave të njeriut, disa prej të cilave mund të jenë të nivelit të krimeve të luftës. Kjo akuzë bëhet në një raport të ashpër të publikuar këto ditë lidhur me sulmet amerikane me avionë pa pilot në Pakistan. Grupi i të drejtave të njeriut po i bën thirrje autoriteteve amerikane t'i japin fund fshehtësisë rreth programit të debatueshëm dhe të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës për vdekjen e civilëve në sulmet me avionë të telekomanduar.

Zyrtarët e organizatës "Amnesty International" e përshkruajnë raportin si një nga studimet më domethënëse deri më sot për programin amerikan të avionëve pa pilot.

Në raport studiohen 45 sulme me avionë pa pilot në rajonin fisnor të Waziristanit Verior nën sundimin e militantëve pakistanezë, nga janari i vitit 2012 deri në gusht të këtij viti.

Mustafa Qadri i organizatës "Amnesty International" udhëhoqi grupin e kërkimit për 9 nga këto sulme. Ai i tha Zërit të Amerikës se ajo që zbulua është e paprecedent në shumë aspekte, sepse ndryshe nga studime të mëparshme ndërkombëtare, ekipi i tij pati mundësinë të shkonte fizikisht në rajonet ku janë kryer sulmet, ku bisedoi me banorët.

"Ne lokalizuam pikërisht zonën ku janë kryer dy sulme, vendin ku qëndronin viktimat dhe atë ku ndodheshin dëshmitarët e sulmeve. Në një rast të tmerrshëm, një gjyshe u vra para nipërve dhe mbesave, në një rast tjetër u vranë disa punëtorë dhe personat që erdhën t'i vini atyre në ndihmë, po ashtu u vranë. Pra pyetja jonë ndaj Shteteve të Bashkuara është, si mund të justifikohen këto vrasje?"

Ndryshe nga pretendimet e zyrtarëve, se personat e vrarë ishin terroristë, zoti Qadri thotë se studimi i kryer nga organizata "Amnesty International" arrin në përfundimin se disa nga personat në objektivin e sulmeve nuk ishin përfshirë në luftime, nuk përbënin kërcënim për askënd dhe sigurisht, nuk përbënin kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara.

"Ne jemi të shqetësuar për programin amerikan të sulmeve me avionë pa pilot, sepse sipas këtij programi, sulmet mund të kryhen në çdo vend të botës, në kuadrin e luftës së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre kundër al Kaidës… Ky është një program i fshehtë. Në fakt, në rastin tonë, ne zbuluam të paktën në disa raste, se në këto sulme janë vrarë civilë dhe disa prej tyre mund të cilësohen krime lufte. Kjo na shqetëson me të vërtetë."

Autoritetet amerikane ofrojnë shumë pak informacion në publik lidhur me operacionet me avionë pa pilot nën drejtimin e CIA-s. Ata këmbëngulin se sulmet me raketa janë të planifikuara me kujdes për të shmangur viktimat mes civilëve dhe se në to janë vrarë operativë të rëndësishëm të al-Kaidës. Zyrtarët amerikanë thonë se kjo fushatë është bërë një armë e efektshme kundër terrorizmit, kundër militantëve që operojnë në rajone ku nuk mund të futen trupat amerikane.

"Amnesty International" i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të bëjnë të njohura publikisht bazat për programin e sulmeve me avionë pa pilot në Pakistan. Po ashtu organiztata i bën thirrje autoriteteve amerikane të zhvillojnë hetime ndaj të gjitha rasteve që mund të përbëjnë vrasje të paligjshme.

"Amnesty International" po ashtu i bën thirrje Pakistanit të japë informacione publikisht për të gjitha sulmet amerikane me avionë pa pilot, për të cilat autoritetet pakistaneze janë në dijeni, përfshirë viktimat dhe të gjithë ndihmën që u jepet atyre.

"Amnesty International" thotë se përveç kërcënimit nga avionët amerikanë pa pilot, banorët në Waziristanin Verior shpesh gjenden në mesin e sulmeve nga militantët e armatosur dhe forcave pakistaneze të sigurisë. Në raport thuhet se popullsia lokale jeton nën frikën e vazhdueshme të dhunës së pashmangshme nga të gjitha palët.

Sulmi i parë amerikan me avionë pa pilot në Pakistan u krye në vitin 2004. Që nga ajo kohë, mendohet gjerësisht se operacionet janë pjesë e një marrëveshjeje të fshehtë, gjatë së cilës Islamabadi i ka miratuar ato privatisht, por i ka dënuar ato publikisht.

Megjithatë, udhëheqësit pakistanezë thonë se i kundërshtojnë me forcë avionët pa pilot dhe i dënojnë ato si shkelje e integritetit territorial të vendit. Ata po ashtu këmbëngulin se sulmet nxisin esktremizmin në Pakistan.
XS
SM
MD
LG