Lidhje

Sulmet vetëvrarëse në Indonezi, strategji e re terroriste

  • Brajan Pedan

Sulmet vetëvrarëse në Indonezi, strategji e re terroriste

Sulmet vetëvrarëse në Indonezi, strategji e re terroriste

Analistët e sigurisë në Indonezi thonë se një shpërthim vetëvrasës në një xhami të policisë, ku u vranë atentatori dhe u plagosën 26 vetë, është pjesë e një strategjie të re terroriste. Në vend që të sulmojnë perëndimorët në hotele dhe ambasada, thonë ata, disa grupe më të vogla të ekstremistëve islamistë kanë filluar të vënë në shënjestër policinë dhe indonezianët që flasin kundër fundamentalizmit fetar.

Analistja e terrorizmit, Sidni Xhons, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave në Xhakartë, thotë se sulmi ndaj policisë në qytetin Çirebon në perëndim të ishullit Xhava përkon me një model të ri të sulmeve të vogla terroriste kundër objektivave indoneziane.

“Një nga gjërat që po vërejmë dy vitet e fundit janë sulmet ndaj objektivave vendase dhe policisë, veçanërisht pas shpërbërjes së kampit trajnues të militantëve në Açeh në shkurt 2010, ku policia arrestoi mbi 100 njerëz dhe vrau rreth 24 a 25, teksa përpiqej t’i arrestonte. Unë mendoj se ato ngjarje, më shumë se çdo gjë tjetër, e vunë policinë në krye të listës së armiqve”.

Ajo thotë se zyrtarët e zbulimit kanë mësuar se kampi i trajnimit të terroristëve që u zbulua më 2010 në krahinën Açeh, në veriperëndim të Sumatrës, po përdorej për të nxitur xhihadin kundër zyrtarëve vendas, të cilët kundërshtojnë ligjet e sheriatit në Indonezi, përfshirë presidentin Suslio Bambang Juhojono.

Para sulmeve vetëvrasëse të së premtes, një numër bombash iu dërguan me pako postare njerëzve në rrethinën e Xhakartës, përfshirë edhe një figurë liberale myslimane që përqafon pluralizmin dhe një ish-zyrtar të lartë të policisë kundër terrorizmit. Shumica e bombave u çmontuan me sukses dhe vetëm disa njerëz u plagosën.

Policia po heton ende se kush është përfshirë në sulmin vetëvrasës të së premtes dhe bombat në pakot postare. Zonja Xhons thotë se po të gjendet se kush i mësoi këto grupe të përgatisin bomba, mund të zbulohet një burim i vetëm i ndikimit për sulmet.

“Nëse shikojmë prapa tek disa nga grupet e tjera të vogla, edhe pse ato kanë qenë të pavarura në një farë mënyre nga organizatat më të mëdha, të gjitha kanë gjetur dikë me përvojë në një operacion të mëparshëm, që ka qenë i gatshëm t’u mësojë atyre se si të bëjnë bomba. Në një rast dikush mësoi vetë nga interneti, por grupi i tij ishte radikalizuar pasi kishte ndjekur mësimet e dikujt që tani ndodhet në burg”.

Indonezia është shtet laik me popullsinë myslimane më të madhe në botë. Në të kaluarën, grupe të mëdha terroriste kryen sulme ndaj perëndimorëve në hotele të mëdha dhe ambasada. Sulm i fundit madhor nga terroristët ndodhi në korrik të 2009, kur dy kamikazë vranë nëntë vetë në hotelet J.W. Marriot dhe Ritz-Carlton të Xhakartës.

XS
SM
MD
LG