Lidhje

Sulmi terrorist në Mali


Presidenti Barack Obama e dënoi sulmin terrorist në një hotel në kryeqytetin e Malit, që mori jetën e 25 personave. Duke folur në një takim të udhëheqësve rajonalë në kryeqytetin e Malajzisë, Presidenti Obama tha se sulmi i të premtes në Bamako do të forcojë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar terrorizmin.

“Do t’i qëndrojmë përkrah popullit të Malit në përpjekjet për të pastruar vendin nga terroristët dhe për të forcuar demokracinë. SHBA dhe vendet aleate do të jenë të pamëshirshëm ndaj atyre që godasin nënshtetasit tanë. Do të vazhdojmë të shpërbëjmë rrjetet terroriste dhe të mos i lejojmë të kenë strehë të sigurtë,” u shpreh ai.

Presidenti Obama tha se autoritetet amerikane po vazhdojnë të identifikojnë të gjithë shtetasit amerikanë që ndodheshin në hotelin Radisson Blu në kohën e sulmit.

Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se ndër të vrarët ishte edhe një shtetas amerikan. Viktima të tjera ishin nga Franca, Kina dhe Kanadaja.

Presidenti i Malit ka shpallur tre ditë zie kombëtare në kujtim të viktimave të së premtes.

“Ngushëllimet e mia dhe të të gjithë kombit për familjet dhe vendet e viktimave. Këto zhvillime tragjike përjetohen me hidhërim nga populli i Malit, dhe nga njerëzit në të gjithë botën,” - tha Presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keita.

Disa orë pas fillimit të sulmit kundër hotelit, trupat qeveritare liruan dhjetëra pengje.

Dy grupime militante të Afrikës Perëndimore, al-Kaida e Magrebit Islamik dhe El Mourabitoune, morën përgjegjësinë e organizimit të sulmit.

XS
SM
MD
LG