Lidhje

Sulmohet faqja elektronike e Zërit të Amerikës

  • Uilliam Ajd

Sulmohet faqja elektronike e Zërit të Amerikës

Sulmohet faqja elektronike e Zërit të Amerikës

Një grup hakerësh kompjuteri morën peng këtë javë disa faqe interneti të Zërit të Amerikës duke kanalizuar trafikun e përdoruesve të internetit tek një faqe tjetër interneti që pohonte se drejtohej nga Ushtria Kibernetike Iraniane. Sulmet në internet ndodhin ndërkohë që qeveria amerikane po ripërtërin përpjekjet e saj për të promovuar lirinë në internet dhe ndërkohë kur protestat janë përhapur në mbarë Lindjen e Mesme ku shumë prej tyre kanë gjetur ndihmë në internet.

Përmes një deklerate të martën Zëri i Amerikës thotë se sulmi drejtoi trafikun e përdoruesve të internetit që kërkonin të vizitonin faqet e Zërit të Amerikës drejt një faqeje tjetër. Përdoruesit e internetit në vend që të vizitonin faqet e Zërit të Amerikës shikonin një faqe tjetër me një mesazh anti amerikan që i drejtohej Sekretares së Shtetit Hillary Clinton. Në faqen elektronike po ashtu dukej një flamur iranian dhe një kallashnikov.

Në faqe shkruhej qartë, “Ne e kemi provuar se mundemi.” Grupi që mori përsipër sulmin, Ushtria Kibernetike Iraniane, thuhet se ka lidhje me qeverinë iraniane. Eksperti për sigurinë në internet Jeffrey Carr thotë se Ushtria Kibernetike Iraniane duhet trajtuar seriozisht.

"Janë disa grupe hakerash që veprojnë jashtë Iranit dhe që kanë lidhje të ngushta me qeverinë iraniane. Një prej tyre është Ushtria Kibernetike Iraniane të cilët kanë aftësi të mëdha."

Agjencia e lajmeve Fars e cila ka lidhje të ngushta me qeverinë iraniane e lavdëroi sulmin dhe tha se ishte hakmarrje ndaj atyre që i quajti “raportime fallso” mbi Iranin.

Kohët e fundit, Departamenti i Shtetit filloi njoftimet përmes Twitter në gjuhën farsi. Irani e ka kritikuar këtë veprimtari dhe e ka akuzuar Washingtonin se po përdor internetin për të organizuar forcat opozitare.

Gjatë një fjalimi për lirinë në internet javën e kaluar, Sekretarja e Shtetit Clinton përmendi specifikisht Iranin.

"Në Iran, autoritetet bllokojnë faqet e medias dhe të opozitës, sulmojnë faqet sociale dhe grabisin informacione identifikuese për iranianët në mënyrë që ti zbulojnë ata."

Nuk është ende e qartë se si u realizua sulmi kundër Zërit të Amerikës. Ekspertë të industrisë theksojnë se hakerët që fshihen pas sulmeve mesa duket zgjodhën ditën e hëne për sulmin sepse ishte ditë feste në Amerikë dhe pjesa dërrmuese e punonjësve federalë ishin pushim.

Nga fundi i vitit 2009, Ushtria Kibernetike Iraniane mori përsipër sulmin ndaj Twitter, që përdorej gjerësisht nga kundërshtarët e qeverisë iraniane gjatë protestave pas zgjedhore atë vit. Vitin e kaluar, po ky grup ndërmori një sulm ndaj motorit kinez të kërkimeve në internet, Baidu. Që të dy sulmet ishin të të njëjtit stil sikurse ky i fundit ndaj Zërit të Amerikës. Zëri i Amerikës thotë se asnjë e dhënë nuk është kompromentuar apo zhdukur si rezultat i sulmit dhe se një pjesë e mirë e faqeve të internetit të marra peng janë rivënë nën kontroll.

XS
SM
MD
LG