Lidhje

BERZH: Vendet e Ballkanit Perëndimor të mendojnë në mënyrë rajonale


Intervistë me Presidentin e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Suma Shakrabarti

Vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilat kanë ndjerë krizën e Eurozonës, janë ekonomi shumë të vogla dhe mund të përfitojnë nga rimëkëmbja e ekonomisë botërore, nëse marrin tani masa përmes politikave të tyre ekonomike, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës Presidenti i Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Suma Chakrabarti. Ai thotë se për të shtuar rritjen ekonomike, BERZH i këshillon këto vende që mes të tjerash, të mendojnë në mënyrë rajonale.



Zëri i Amerikës: Zoti Chakrabarti, Ballkani Perëndimor, ky hyn Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, është rajoni që e ka ndjerë më tepër krizën e eurozonës. Këto vende kanë patur një ngadalësim të madh, apo edhe rritje negative të aktivitetit ekonomik. A mendoni se rajoni do të jetë në gjendje t’i rikthehet së shpejti rritjes ekonomike të periudhës para krizës?

Suma Shakrabarti: Kam shumë besim se kjo do të ndodhë. Mendoj se këtë vit ato duhet të konsolidojnë statusin e tyre fiskal dhe të vazhdojnë me reformat që janë duke zbatuar, ndërsa ndodh rimëkëmbja e ekonomisë botërore. Këto vende janë ekonomi shumë të vogla, por unë mendoj se ato mund të përfitojnë nga rimëkëmbja e ekonomisë botërore, nëse marrin tani masa përmes politikave të tyre ekonomike. Kam besimin se kjo do të ndodhë, se këto vende kanë shpirtin e biznesit dhe përkushtimin politik, për të bërë atë që duhet.

Zëri i Amerikës: Deri tani, sektori bankar e ka përballuar mirë presionin nga kriza e eurozonës. Megjithatë, financimi i sektorit privat, sidomos financimi i projekteve afatgjatë është pakësuar, duke patur një ndikim negativ tek rritja ekonomike. Si do t’i ndihmojë Banka këto vende ta ndryshojnë këtë situatë?

Suma Shakrabarti: Unë do të thosha se ato nuk e kanë ndjerë ndikimin e krizës evropianë aq shumë sa disa vende të tjera në rajon. Por ato e kanë ndjerë në një farë mase, nga bankat greke dhe ato italiane. Por ne kemi ndihmuar që këto banka të huaja të mbeten në lojë. Kjo është shumë e rëndësishme. Këtë mund ta shohësh edhe te kreditë e këqia. Pra, ka patur një ndikim, por është e rëndësishme të pranosh se këto banka tani janë reformuar deri në një farë mase dhe kanë mjaft likuiditet, çka është thelbësore për bankat. E rëndësishme për ne është si t’i nxjerrim paratë nga bankat për t’i derdhur tek ekononomia reale, çfarë do t’u jepte këtyre bankave besimin për t’u dhënë kredi bizneseve të vogla dhe të mesme, që ato të zgjerohen. Për këtë jemi duke punuar tani. Ne duhet të gjejmë përgjigjen e kësaj pyetjeje: a duhet BERZH-i të bëjë financim të drejtpërdrejtë, për bizneset e vogla dhe të mesme, apo duhet të fusë më tepër para tek këto banka, por me kushte specifike, që ato të dalin nga bankat për t’iu dhënë kredi biznesve të vogla dhe të mesme? Kjo është një çështje e rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Konkurrueshmëria dhe rritja e eksporteve janë të rëndësishme për rritjen ekonomike. Si po i ndihmon BERZH këto vende të jenë më kompetitive në ekonominë rajonale dhe globale dhe që të rrisin eksportet?

Suma Shakrabarti: Ne po bëjmë disa gjëra. Fillimisht, të jesh konkurrues, të jesh tërheqës për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, duhet të krijosh kushtet favorshme në vend, për përmirësimin e klimës së investimeve. Së dyti, ne i këshillojmë vende si Shqipëria, Kosova, apo Maqedonia, të mendojnë nganjëherë në mënyrë rajonale, pra të orjentohen sipas rajonit. Pata kënaqësinë nga vizita ime në shkurt që udhëheqësit e të tre vendeve më thanë se përpiqen për integrimin rajonal përmes projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, si rrugë, hekurudha, dhe në këto projekte mund të ndihmojmë edhe ne. Në Shqipëri, për shembull, ne kemi dy projekte të rëndësishme si aeroporti i Tiranës, për ta bërë atë më të efikas në rajon, apo terminalin e portit të Durrësit. BERZH po ndihmon për ta zgjeruar dhe përmirësuar këtë terminal, që ai të bëhet një pikë hyrjeje për mbarë rajonin.

Zëri i Amerikës: Një pyetje më specifike. Kosova ka një nivel të lartë të papunësisë. Sidomos papunësia në radhët e të rinjve është e lartë. Si po e ndihmon BERZH Kosovën të krijojë vende të reja pune?

Suma Shakrabarti: Kosova, sapo është bërë anëtare e BERZH-it në dhjetor dhe ne jemi të kënaqur për këtë. Më 1 maj do të diskutohet në bord strategjia për vendin, dhe shpresoj që po atë ditë të miratohet strategjia e re për Kosovën. E rëndësishme tani është të bëhen investime për të shtuar rritjen ekonomike, për të luftuar papunësinë, në veçanti atë mes të rinjve, sepse kjo është e rrezikshme për cilindo vend. Prandaj Banka do të përqëndohet tek integrimi rajonal i vendit, infrastruktura do të jetë e rëndësishme si ajo lidhëse mes Kosovës me Maqedoninë, me Shqipërinë, por ne duhet të përqëndrohemi edhe te projeket enegjitike dhe ato të ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Unë u impresionova shumë në Prishtinë, kur pashë qendrën tregtare që furnizohej nga prodhimet lokale. Më parë Kosova ka importuar mallra tani ajo duhet të rrisë prodhimet e brendshme. Pashë një fabrikë jo larg kufirit me Shqipërinë, fabrikën e lëngut të frutave, Laberion, në një zonë shumë të varfër të Kosovës dhe ai ishte një projekt mjaft i suksesshëm. E përsëris, për të ulur papunësinë duhen shumë projekte të kësaj natyre.

Zëri i Amerikës: Kosova është një vend i pasur me burime linjiti dhe po përpiqet të ngrejë një Termocentral me lëndë të parë linjitin. Në të njëjtën kohë, vendi po përpiqet të mbyllë termocentralin e vjetër, mjaft ndotës për mjedisin. BERZH-i ka shprehur interes që ta mbështesë këtë projekt. Disa organziata jo-qeveritare e kanë kundërshtuar projektin, duke thënë se do të shtonte ndotjen. Cili është komenti juaj?

Suma Shakrabarti: Tani për tani, projekti është në fazën e studimit, ne ende nuk kemi parë dokumentacionin përfundimtar, në se ky projekt është i zbatueshëm. Në çdo projekt që ne përfshihemi, jemi të kujdesshëm për efikasitetin e tij. Qeveritë, OJQ-të, të gjithë në rajon duhet të kenë parasysh, se ato duhet t’i diversifikojnë projektet e energjisë dhe të mos varen vetëm tek qymyri. Por kjo kërkon kohë. I gjithë rajoni bazohet së tepërmi tek qymyri si lëndë e parë për energjinë. Pra nëse do të angazhohemi në këtë projekt të rëndësishëm, duhet të sigurohemi që ai të jetë sa më pak ndotës.

Zëri i Amerikës: Le të flasim për Shqipërinë. Ajo është një nga vendet ku është ngadalësuar rritja ekonomike. Cilat janë sfidat kryesore me të cilat ndeshet vendi dhe si po e ndihmon Banka që t’i kapërcejë?

Suma Shakrabarti: Unë mendoj se problemi kryesor për vendin është se bazohet së tepërmi tek remitencat nga Italia, apo nga Greqia. Prandaj, ekonomia e Shqipërisë duhet të rimëkëmbet. Kjo është shumë e rëndësishme. Shqipëria duhet ta marketojë veten tek investitorët e huaj edhe më mirë se në të kaluarën. Në Shqipëri shpirti i biznesit është shumë i mirë. Këtu dua të theksoj se Maqedonia ka bërë punë shumë të mirë për marketimin dhe ka tërhequr një numër të madh investitorësh, prandaj mesazhi im për vendet e rajonit është: shikoni si ka punuar Maqedonia dhe përshtateni modelin e saj tek vendi juaj.

Zëri i Amerikës: Një nga përparësitë e vendit është zhvillimi i sektorit energjitik. Shqipëria po përpiqet të zhvillojë projekte të energjisë së ripërtëritshme përmes përfshirjes së sektorit privat. Si po e ndihmon Banka vendin për arritjen e këtij objektivi?

Suma Shakrabarti: Shqipëria ka shumë burime, hidroenergjetike. Vitin e kaluar ne patëm një konferencë me pjesëmarrjen e qindra njerëzve, për t’u angazhuar si të ndihmojmë me projekte hidroenergjitike. Tani jemi duke u angazhuar konkretisht me projekte, jemi duke parë mundësinë për t’u përfshirë edhe në projekte të tjera.
XS
SM
MD
LG