Lidhje

Sundimi i ligjit


Një ekspert për sundimin e ligjit po propozon një nismë globale për të mbështetur përpjekjet për nxitjen e lirisë dhe drejtësisë, veçanërisht për të varfërit. Ai thotë se ajo mund të jetë e ngjashme me Fondin Global të Luftës kundër SIDAs, Tuberkulozit dhe Malaries. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua njofton.

Mark Lagon thotë se drejtësia ligjore është një çështje si liberale ashtu edhe konservatore që është vendimtare për begatinë ekonomike dhe të drejtat e njeriut.

"Sundimi i ligjit në praktikë, është çelësi që të varfërit në botë të lulëzojnë ekonomikisht. Ai është një katalizator potencial për rritjen ekonomike".

Analisti në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë thotë megjithatë se shpesh ai mbetet thjesht një potencial.

"Problemi me sundimin e ligjit në botë është se ai shpesh ekziston në letër, në traktate, në ligje, por nuk zbatohet aq shumë në praktikë".

Ai thotë se sundimi i ligjit "përbëhet nga procedurat që i japin gjithë shoqërisë qasje kuptimplotë në drejtësi, pa korrupsion apo diskrimin në zbatimin e së drejtës." Ndërsa është konsideruar shpesh çështje e të drejtave të njeriut, ai thotë se sundimi i ligjit është gjithashtu diçka që i lejon njerëzit të “shfrytëzojnë aftësitë e tyre. "

"Mendoni, për shembull, në qoftë se në këtë mrekulli ekonomike të pabesueshme që ka India, sa më mirë do të ishte në qoftë se ata që janë në kastat më të pafavorizuara, si Dalitë, të mos shfrytëzoheshin, për shkak se ligjet e shkruara që nga mesi i viteve 1970 nuk janë zbatuar rregullisht për t'i dhënë qasje të barabartë në drejtësi".

Lindja e Mesme thotë ai është një shembull tjetër.

"Mendoni, gjithashtu, sa më produktive do të ishin qeveritë arabe dhe të Lindjes së Mesme në qoftë se ato nuk mbështeten vetëm në pasuritë e lëndëve djegëse, por të lejonin gratë të punonin si punëtore dhe sipërmarrëse në se nuk do t’u mohin të drejtat e tyre".

Shtrohet pyetja; Si mund të lëvizet nga potenciali i sundimit të ligjit në zbatimin e tij? Analisti thotë se institucionet e të drejtave të njeriut shpesh nuk përqëndrohen në ndërtimin e kapaciteteve.

"Pra, çfarë është e nevojshme? Duhet të kemi një strukturë më të shkathët që mund të sjellë së bashku aktorë të shoqërisë civile dhe të sektorit privat, të cilët nuk do të jenë asnjëherë plotësisht të integruar në partneritete të cilat drejtohen kryesisht nga organizatat ndërqeveritare. Kështu që unë propozoj se ne kemi nevojë për diçka që do ta quaja një trust global për sundimin e ligjit".

Ai do të përfshinte vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, interest e biznesit, OJQ-të, organizatat ndërqeveritare dhe institucionet financiare.

"Ky fond do të ofrojë grante për krijimin e qasjeve në drejtësi – trajnimin e prokurorëve, gjyqtarëve, duke i bërë njerëzit të vetëdijshëm mbi mënyrat për të goditur korrupsionin".

Lagon thotë se trusti mund të modelohet si Fondi Global i Luftës kundër SIDAs, Tuberkulozit dhe Malarias, ose sipas fondit më pak të njohur të OKB-së për demokracinë. Ai shton se grantet do të jepen në bazë të një program që mat performancën dhe efektivitetin e kostos. Mark Lagon foli kohët e fundit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
XS
SM
MD
LG