Lidhje

Clinton, Trump fitues të Super së Martës


Demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump kanë konsoliduar shanset për emërimin e partive të tyre, duke siguruar fitore në shtete kyçe gjatë të ashtuquajturës e Marta e Madhe, dita më e rëndësishme e votimit në fazën e zgjedhjeve paraprake.

Ish-sekretarja e Shtetit, Clinton fitoi në shtetet Tenesi, Alabama, Xhorxha, Arkansas, Virxhinia, Teksas dhe Masaçusets. Rivali i saj, demokrati socialist Sanders fitoi në Vermont, Oklahoma, Minesota dhe Kolorado.

Në kampin republikan, zoti Trump fitoi në Arkansas, Xhorxha, Alabama, Tenesi, Virxhinia, Vermont dhe Masaçusets. Senatori Ted Cruz fitoi në shtetin e tij Teksas, si edhe Oklahoma and Alaska. Senatori nga Florida Marco Rubio siguroi fitoren e tij të parë në sezonin e zgjedhjeve paraprake, në Minesota.

Rezultatet nuk ishin një befasi. Sondazhet kishin treguar se kandidatët Trump dhe Clinton kishin një epërsi të madhe në shtetet e të Martës së Madhe dhe në shkallë kombëtare. Në fjalimet e tyre të fitores, secili nga kandidatët u përqendrua tek tjetri dhe jo tek rivalët e tyre brenda partisë.

"Amerika ka qenë gjithmonë madhështore, tha zonja Clinton në një tubim në Florida, duke iu referuar sloganit të fushatës së zotit Trump. Ne duhet ta bëjmë Amerikën të bashkuar”, tha ajo duke shtuar se retorika nga ana republikane “nuk ka qenë kurrë më e ulët”.

Në fjalimin e tij po në Florida, zoti Trump u kundërpërgjigj. “Ajo do ta bëjë Amerikën të bashkuar. Po përpiqem të kuptoj se ç’do të thotë kjo. Të bësh Amerikën madhështore përsëri është shumë më mirë sesa ta bashkosh”.

Duke folur para një turme të madhe në shtetin e tij të Vermontit, Sanders u shfaq optimist.

"Kjo fushatë dhe shumë nga ju e dine këtë nuk është thjesht për të zgjedhur një president, është për transforminin e Amerikës. Objektivi është ta bëjmë këtë vend të mrekulliueshëm dhe ne e dimë që kjo është e mundur”.

Por nuk kishte dyshim se zonja Clinton ishte “fituesja e madhe”, sipas Mo Elleithee, drejtor eksekutiv i Institutit për Politikë dhe Shërbim Publik në Georgetwon.

Zoti Elleithee, që ishte zëdhënës i fushatës Clinton në vitin 2008, e vuri theksin tek vështirësia e zotit Sanders për të tërhequr votues jashtë bazës së tij kryesisht të bardhë.

"Tani e kemi kapërcyer fazën e fushatës kur duhej një vrull fillestar. Tani bëhet fjalë për shifra. Dhe është e qartë që Bernie nuk do të ketë numrin e nevojshëm të delegatëve për të fituar”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Ford O'Connell, një strategjist republikan tha se zoti Trump doli në krye të fushës së republikanëve dhe taniu është “kandidati i qartë kryesor”.

"Donald Trump siguroi një fitore të madhe sot, i tha O'Connell Zërit të Amerikës, duke shtuar se biznesmeni miliarder madje mund të përfitojë nëse humb në disa gara me rivalët e tij. “Aleati i tij më i madh është një kamp i përçarë republikan, kështuqë nga të gjitha anët është një natë e shkëlqyer për zotin Trump”, tha ai.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG