Lidhje

Superkomisioni i Kongresit përballet me afatin për buxhetin

  • Cindy Saine

Superkomisioni i Kongresit përballet me afatin për buxhetin

Superkomisioni i Kongresit përballet me afatin për buxhetin

Beteja për uljen e borxhit amerikan prej 15 trilionë dollarësh po debatohet nga një komision i posaçëm i Kongresit. Ndërsa kanë mbetur vetëm pak ditë para se të arrijë afati i marrëveshjes, Republikanët dhe Demokratët mbeten të ndarë nga të njëjtat mosmarrëveshje ideologjike për taksat dhe programet sociale.

Kongresi i ndarë politikisht nuk po arrin dot një marrëveshje për të vënë nën kontroll defiçitin dhe borxhin në rritje të vendit.

Dhe deri tani, edhe superkomisioni dypartiak ka dështuar në misionin për të identifikuar shkurtimet prej 1.2 trilionë dollarësh para afatit të caktuar.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 23 nëntor, shkurtimet automatike në programet e brendshme dhe mbrojtjen kombëtare hyjnë në fuqi në vitin 2013.

Analisti politik Stuart Rothenberg thotë se ka një arsye të fortë për afatin.

“Duhej diçka që t’i detyronte që të arrinin një marrëveshje, kështu që ata krijuan këtë procedurë për shkurtime të gjithanshme përfshirë ato të mbrojtjes që mendonin se do të ishte një alternativë aq e papranueshme saqë do t’u duhej të merreshin vesh, për ta shmangur atë”.

Superkomisioni duket se është në pozitë të vështirë për të njëjtën arsye që Kongresi nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje në të kaluarën. Demokratët progresivë druhen se ky komision do të shkurtojë programet e mbështetjes sociale që ata mbështesin.

Senatori i pavarur i Vermontit, Bernie Sanders.

“Nuk do lejoj që të balancojmë buxhetin në kurriz të të moshuarve, të sëmurëve, fëmijëve dhe të varfërve. Është e padrejtë”.

Ndërsa republikanët konservatorë druhen se superkomisioni do të ngrejë taksat, diçka që shumë prej tyre e kundërshtojnë.

Kreu republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

“Komisioni i përbashkët ka vetëm një alternativë: shkurtime shpenzimesh dhe reformë të programeve sociale”.

Disa republikanë tani po lënë të kuptohet se do të pranonin disa rritje taksash por demokratët e shqetësuar thonë se raporti mes shkurtimeve të shpenzimeve dhe rritjes së taksave mbetet pengesë.

Kjo po shtyn disa ligjvënës nga të dyja palët që t’i bëjnë thirrje të dyja partive që të arrijnë një marrëveshje të guximshme prej 4 trilionë dollarësh në shkurtime dhe rritje taksash.

Senatori demokrat Mark Warner nga Virginia.

“Dështimi nuk është alternativë. E gjithë bota i ka sytë tek ne”.

Disa ligjvënës thonë se nëse superkomisioni nuk gjen një zgjidhje për bllokimin, besimi i tregjeve globale dhe shumë amerikanëve se Kongresi mund të zgjidhë shumë nga sfidat fiskale, do të lëkundet edhe më shumë.

XS
SM
MD
LG