Lidhje

Çfarë janë superkompjuterat?

  • GEORGE PUTIC

Një superkompjuter i ri i zhvilluar nga Universiteti Kombëtar i Kinës për Teknologjinë e Mbrojtjes është renditur si më i shpejti në botë

Një superkompjuter i ri i krijuar nga Universiteti Kombëtar i Kinës për Teknologjinë e Mbrojtjes është renditur si më i shpejti në listën e 500 kompjuterave më të fuqishëm në botë. Superkompjuteri “Titan” i Laboratorit Kombëtar Oak Ridge të Departamentit amerikan të Energjisë ra në vendin e dytë të kësaj renditjeje. Por çfarë janë superkompjuterat? Dhe sa e rëndësishme është gara për t'i bërë ata më të shpejtë dhe më të fuqishëm?

Kompjuteri juaj personal i zakonshëm ka vetëm një mikroprocesor ose CPU, që zbaton një sërë komandash të përfshira në programet e instaluara në kompjuter.


Superkompjuterat e parë kishin vetëm disa mikroprocesorë më tepër, por profesori i shkencave kompjuterike në Universitetin e Virxhinias, Andrew Grimshaw, thotë se kjo ka ndryshuar pasi mikroprocesorët tashmë kushtojnë më pak dhe janë më të shpejtë.


"Sot, superkompjuterat janë ata që ne quajmë makina paralele. Në vend të një CPU-je, pra të një mikroprocesori, ata kanë me mijëra e mijëra. Dhe në rastin e këtij modeli të Kinës, në varësi të mënyrës se si numërohet, kemi miliona mikroprocesorë."

Makinat paralele përbëhen nga shumë kompjutera të mëdhenj të veçantë të quajtur nyje, që vendosen në një bllok. Ata shpenzojnë një sasi të madhe energjie elektrike dhe lëshojnë shumë nxehtësi, prandaj kanë nevojë për sistemeve të mëdha ftohjeje. Gjithashtu, superkompjuterat përdorin programe të ndryshme nga ato që përdorin kompjuterat e zakonshëm.


Me burime të mjaftueshme, thotë zoti Grimshaw, kushdo mund të ndërtojë një superkompjuter për të zgjidhur probleme që kërkojnë miliona përllogaritje matematikore.


Por kjo nuk është gjithmonë e nevojshme. Një superkompjuter virtual mund të krijohet edhe me anë të kompjuterave individualë të rrjetit të një universiteti apo kompanie. Këto sisteme mund të përpunojnë të dhënat gjatë kohës që kompjuterat nuk po përdoren nga askush.

"Në disa raste është shumë e thjeshtë të përdorësh superkompjuterat virtualë, sidomos kur problemi mund të ndahet në pjesë përbërëse të pavarura, pra duke e shpërndarë punën gjithandej. Ne e bëjmë këtë shumë shpesh në Universitetin e Virxhinias."


Andrew Grimshaw thotë se deri një dekadë më parë, inxhinierët ishin të përqendruar në bërjen e kompjuterave më të shpejtë. Që atëherë, thotë ai, ata kanë punuar për të krijuar makina paralele më të fuqishme.

"Kjo po ndryshon shkencën dhe inxhinierinë dhe do të vazhdojë t’i transformojë ato në mënyra që unë mendoj se shumica e njerëzve nuk mund t’i kuptojë plotësisht – pra se sa mirë ne mund ta modelojmë dhe simulojmë botën tani."


Zoti Grimshaw thotë se aftësitë e informatikës premtojnë një të ardhme jashtëzakonisht të mirë për fushën e kërkimeve.

XS
SM
MD
LG