Lidhje

Gjykata e Lartë për kujdesin shëndetësor

  • Jim Malone

Gjykata e Lartë e SHBA i dha presidentit Barak Obama një fitore të madhe të enjten duke mbajtur në fuqi një pjesë të rëndësishme të ligjit të kujdesit shëndetësor të nënshkruar prej tij pesë vjet më parë.

Jashtë Gjykatës së Lartë, mbështetësit e ligjit të kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama festuan për fitoren e madhe ligjore për një pjesë të rëndësishme të ligjit që ndihmon më shumë se gjashtë milionë amerikanë të përballojnë sigurimin shëndetësor.

Avokati i kujdesit shëndetësor, Ron Pollack thotë:
"Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Vendimi i sotëm ka rëndësi monumentale. Kjo do të thotë se Akti i Kujdesit të Përballueshëm nuk është vetëm ligji i vendit. Ai do të mbetet ligji i vendit."

Në diskutim ishin subvencionet tatimore federale që ndihmuan miliona amerikanë të blejnë sigurim shëndetësor në disa shtete. Mes tyre Gwen Jackson nga Teksasi, që kujdesej për burrin e saj të sëmurë:

"Kjo nuk është vetëm për mua. Por është për rreth 6,4 milion njerëz të tjerë që nuk kanë sigurime. Pra, janë shumë njerëz."

Gjykata e Lartë la në fuqi subvencionet gjatë një votimi gjashtë me tre, me gjykatësin konservator John Roberts që iu bashkua shumicës.

Ky ishte suksesi i dytë në gjykatën e lartë për presidentin Obama për kujdesin shëndetësor, dhe zoti Obama e shpalli fitoren në Shtëpinë e Bardhë:

"Sot, pas më shumë se 50 votimesh në Kongres për shfuqizimin apo dobësimin e këtij ligji; pas zgjedhjeve presidenciale të bazuar pjesërisht në ruajtjen ose shfuqizimin e këtij ligj; dhe pas sfidave të shumta për këtë ligj para Gjykatës Supreme, Akti i Kujdesit të Përballueshëm është këtu për të qëndruar."

Vendimi i Gjykatës së lartë gëzoi demokratët, duke përfshirë kreun e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi:

"Ne jemi shumë të gëzuar. Kjo është një fitore për të gjithë ata që mendojnë dhe për të gjitha familjet amerikane. Është koha që Republikanët të braktisin sulmin e tyre nëpërmjet një sigurimi të ri shëndetësor tani që Akti i Kujdesit të Përballueshëm është siguruar."

Udhëheqësi demokrat në Senat, Harry Reid tha se është koha për republikanët që të heqin dorë nga përpjekjet për shfuqizimin e ligjit:

"Le të kalojnë në tjetër temë. Ndal humbjen e kohës së popullit amerikan duke u përpjekur për shfuqizimin e ligjit."

Por, kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, u zotua për të vazhduar kundërshtimin:

"Akti i Kujdesit të Përballueshëm ka rritur shpenzimet për familjet amerikane; për bizneset e vogla; dhe në thelb nuk funksionon. Ne do të vazhdojmë përpjekjet për të bërë gjithçka që mundemi për të vënë popullin amerikan përsëri në krye të kujdesit të tyre shëndetësor, dhe jo qeverinë federale."

Pavarësisht vendimit të gjykatës, vendi mbetet i ndarë mbi planin e kujdesit shëndetësor të presidentit Obama, thotë eksperti i opinionit publik Karlyn Bowman:

"Por në shumicën e sondazheve prirja e opinionit është në anën negative, për mosmiratimin e ligjit në përgjithësi. Kjo do të thotë se, amerikanët nuk duan shfuqizimin e plotë të tij, por mendojnë se ligji ka shumë probleme që duhet të rregullohen nga Kongresi. "

Vendimi i gjykatës nuk mund ta ndryshojë opinionin publik, por këtë ditë para Gjykatës Supreme, ishin mbështetësit e planit të presidentit Obama të cilët po festonin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG