Lidhje

Gjykata e Lartë bllokon planin e Presidentit për imigrantët


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara bllokoi të enjten planin e Presidentit Obama për të shtyrë afatin e deportimit të miliona imimigrantëve pa dokumente.

Ky vendim i arritur nga votimi 4 me 4 i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, la në fuqi një vendim të gjykatës së shkallës së parë, që hidhte poshtë urdhërin e zotit Obama për të vendosur një politikë të re imigracioni me urdhër ekzekutiv, pasi Kongresi nuk arriti të miratojë ndryshime të rëndësishme për imigracionin.

Presidenti e cilësoi vendimin “dëshpërues” për imigrantët, të cilët sipas tij, “nuk do të jenë në gjendje të japin kontributin e tyre në vend”. Por ai shtoi se nuk do të ketë përpjekje për deportimin e imigrantëve që i binden ligjit, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara, edhe pse vendimi e lë vazhdimin e pranisë së tyre në vend në një gjendje të papërcaktuar nga pikëpamja ligjore.

Ashtu sikurse edhe në të kaluarën, zoti Obama, kritikoi republikanët e Senatit që kanë refuzuar të shqyrtojnë emërimin prej tij të gjykatësit Merrick Garland të gjykatës federale të apeleve, si anëtar të nëntë të gjykatës së lartë, vend që ka mbetur bosh pas vdekjes së gjykatësit Antonin Scalia. Ligjvënësit thonë se emërimi për vendin e 9-të në Gjykatën e Lartë duhet bërë nga presidenti i ardhshëm, pasi zoti Obama të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë në janar.

Texasi dhe shtete të tjera ngritën padi ndaj administratës Obama lidhur me planin e imigracionit, duke argumentuar se ai ishte jo kushtetues, pasi binte në konflikt me ligjin aktual të imigracionit. Por administrata argumentoi se shtetet e ndryshme nuk kanë të drejtë të ngrenë padi të tilla pasi ligji i imigracionit është kompetencë e qeverisë federale.

Në kushtet kur gjykata është e ndarë 4 me 4, qëndron në fuqi vendimi i gjykatës së nivelit më të ulët.

"Për më tepër se dy dekada, sistemi ynë i imigracionit – dhe këtë e pranojnë të gjithë – nuk funksionon si duhet.”- tha zoti Obama. “Fakti që Gjykata e Lartë nuk ishte në gjendje të merrte sot një vendim, jo vetëm e çon prapa sistemin, por na largon edhe më tepër nga ëndërra që kemi për vendin tonë”.

Kandidatja për presidente e Partisë Demokrate, Hillary Clinton, e kritikoi vendimin e Gjykatës si të “papranueshëm”, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë gjithshka” për të zbutur frikën e imigrantëve pa dokumente se mund të deportohen. Ajo i qortoi republikanët në Senat që refuzuan të shqyrtojnë emërimin e zotit Garland.

Paul Ryan, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, e vlerësoi vendimin e Gjykatës së Lartë, duke thënë se “presidentit nuk i lejohet të shkruajë ligje, këtë detyrë e ka vetëm Kongresi. Kjo është një tjetër fitore madhore në luftën tonë për rikthimin e ndarjes së pushteteve”, tha zoti Ryan.

XS
SM
MD
LG