Lidhje

Një kirurg përmirëson jetët e pacientëve

  • Greg Flakus

Study: Epilepsy Surgery Is Effective

Study: Epilepsy Surgery Is Effective

Mjeku riparon deformime të lindura apo të shkaktuara gjatë jetës, duke ndihmuar edhe psikologjikisht pacientët

Kirurgjia plastike të kujton zakonisht aktorët e Hollivudit që bëjnë operacione të ndryshme për t’u dukur sa më të rinj e tërheqës. Por këto procedura u shërbejnë edhe personave me deformime qoftë të lindura, apo të shkaktuara nga sëmundje ose aksidente. Në disa raste operacionet plastike mund t’u shpëtojnë jetën pacientëve:

Për pacientët e tij në spitalin Metodist të Hjustonit, Doktor Tue Dinh është një magjistar që bën mrekullira.

Barbara Martinez i kërkoi atij ndihmë pasi një operacion për heqjen e një hernie, e la atë me dhimbje dhe me një plagë të hapur në bark.

“Ai e kuptoi dhimbjen time. E pashë se ishte i gatshëm të më ndihmonte”.

Barbara ishte prekur edhe nga modestia e mjekut:

“Përpiqem ta falenderoj dhe ai më thotë se e ka për detyrë. Por fakti është se ai punon edhe me zemër, jo vetëm me bisturi”.

Dr. Dinh thotë se ajo që ofron kirurgjia plastike është një zgjidhje e improvizuar për probleme që mund të jenë kërcënim për jetën:

“Kirurgjia plastike nuk përmirëson vetëm cilësinë e jetës për pacientin, por shpesh mund t’i shpëtojë atij jetën”.

Dr. Dinh shpesh bën operacione tek pacientë të shfytyruar ose me probleme shëndetësore nga aksidente apo procedura të tjera mjekësore.

Këtë radhë ai po përpiqet të riparojë një problem të shkaktuar nga një operacion në një spital tjetër. Në këtë rast, shtylla kurrizore e pacientit mbeti e ekspozuar, pasi u hoq një pjesë e infektuar indi. Dr. Dinh përdor teknika për zëvendësimin e indit, që i ka përdorur më parë për të mbyllur çarje të rrezikshme në kraharorin e pacientit:

“Praktikojmë një teknikë, ku një shtresë muskuli përdoret për të mbuluar zemrën e ekspozuar dhe për të rindërtuar kraharorin dhe sternumin që mban zemrën e mbuluar”.

Dr. Dinh ka lindur në Vietnam dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara në vitin 1975. Por që kur mbaroi studimet mjekësore ka shkuar shpesh në atdhe për të ndihmuar pacientë vietnamezë:

“Kam një lidhje emocionale me atë vend. Së bashku me vëllain dhe motrën, përpiqemi të shkojmë së paku një herë të vit”.

Në një rast të mirënjohur në Vietnam, Dr. Dinh ndihmoi një 17-vjeçar, i cili ishte gjymtuar nga kafshë të egra kur ishte foshnje. Dr. Dinh thotë se me riparimin e paraqitjes së jashtme të djalit, riparohet edhe gjendja e tij psikologjike.

Në të ardhmen e afërt, thotë kirurgu, me zgjerimin e përdorimit të qelizave burimore dhe teknika të tjera, do të shtohen edhe mundësitë për të ndihmuar pacientët.

"Shpresojmë që në të ardhmen e afërt do të krijojmë diçka krejt origjinale që zhvillohet në laborator dhe na ndihmon të realizojmë një procedurë krejt të re. Është koha e duhur të meresh me kirurgjinë plastike”.

Por për momentin Dr. Dinh vazhdon të përmirësojë teknikat tradicionale për t’u ndryshuar jetën pacientëve të tij.

XS
SM
MD
LG