Lidhje

Surroi: Kosova nuk ka nevojë për rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

  • Laura Konda

Surroi: Kosova nuk ka nevojë për rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Surroi: Kosova nuk ka nevojë për rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Në një intervistë që dha në studiot e Zërin e Amerikës në Uashington, Veton Surroi, Kryetar i Klubit për Politikën e Jashtëme në Kosovë, tha se qeveria e Kosovës është treguar e ngathët në dy vitet e kaluara përsa i përket njohjeve të reja. “Nuk besoj që ka ndryshuar diçka më shumë në këtë drejtim. Për fat të mirë shtetet e kuintit kanë treguar një energji shumë të madhe dhe e kanë pregatitur terrenin për njohje. Sa njohje do të ketë, dhe cila do të jet dinamika e njohjeve është vështirë të thuhet,” tha zoti Surroi.

Duke folur mbi propozimin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni për zëvendësimin e rezolutës 1244, zoti Surroi tha se ministri ka bërë një gabim strategjik bile kur ka kërkuar që të sillet një rezolutë e re për Kosovën. “Kosova nuk ka nevojë për rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka shfuqizuar në formën përmbajtësore rezolutën meqenëse ka deklaruar se deklarata e pavarësisë është sjellë në bazë të rezolutës 1244, pra e ka konsumuar të drejtën juridike brenda saj. Kosova nuk ka përse të kërkojë rezoluta të reja e as debate të reja e kurrgjë tjetër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së,” tha zoti Surroi.

I pyetur rreth çështjes së korrupsionit në Kosovë, zoti Surroi tha: “Nuk e di a është lufta kundër korrupsionit axhendë e Kryeministrit Thaçi. Mirë do të ishte që po ta kishte atë axhendë të fillonte nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve dhe qeverisë së tij. Por, zoti Thaçi ka mbrritur në një fazë ku doemos duhet të përcaktohet, a do të vazhdojë kursi i tanishëm degjenerativ i qeverisjes me nivelin më të lartë të korrupsionit që ka parë ndonjëherë Kosova, apo do të bëjë një kthesë e cila më pastaj do të do të kurojë së paku disa prej pasojave negative që po ndjen vendi. Qeverisja e tanishme është krejtësisht e paudhë nga aspekti i zhvillimit ekonomik, nuk ka ndonjë vizion e as ndonjë hap të zhvillimit dhe me vendimet e veta strategjike ekonomike, qoftë në mos zhvillimin e sektorit energjisë, qoftë me investime në autorrugën e cila do të lidhë njërin kufi me tjetrin dhe e cila e përshkon Kosovën, do ta zhysë Kosovën në një pozitë krejtësisht të disfavorshme fiananciare prej të cilës do të jete shumë veshtirë të dilet.”

Zoti Surroi tha se imazhi i Kosovës nuk bëhet me fushata komerciale. Imazhi ndërtohet me një qeverisje të mirë dhe këtë definitivisht Prishtina nuk e ka.

Ai tha se prania ndërkombëtare në Kosovë është absolutisht e nevojshme. Kosova, theksoi ai, për fat të keq nuk i ka ndërtuar institucionet e drejtësisë. "Ka një boshëllëk të madh të drejtësisë në vend dhe Eulex-i, institucionet ndërkombëtare duhet ta përmbushin fillimisht misionin e vet të sundimit të ligjit dhe pastaj të largohen."

XS
SM
MD
LG