Lidhje

Suzana Saliu: Ndasitë etnike, problemi më i mprehtë në Maqedoni


Të enjten në Uashington do të mbahet Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve, një aktivitet i përvitshëm ku marrin pjesë të ftuar nga mbarë bota. Mes tyre do të jetë edhe nënkryetarja e parlamentit të Maqedonisë, zonja Suzana Saliu. Zonja Saliu dha një intervistë për emisionin Ditari të Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Nesër ju do të merrni pjesë në mëngjesin e lutjeve një aktivitet tradicional ku vijnë zyrtarë dhe personalitete nga vende të ndryshme të botës. Një nga të veçantat e këtij aktiviteti është fryma e bashkimit të njerëzve, pavarësisht besimeve të tyre. Ju vini nga një vend i ndarë në vija etnike, çfarë mesazhi merrni ju nga veprimtari të tilla?

Suzana Saliu: Është kënaqësi. Delegacioni i Repubikës së Maqedonisë do të jetë pjesë e këtij ceremoniali madhështor amerikan. Është kënaqësi të jemi pranë njëri tjetrit, politikanë, drejtues të të gjtha besimeve e të përkatësive të ndryshme etnike dhe nga shtete të ndryshme. Republika e Maqedonisë është një shtet shumëetnik, shumë-konfesional, shumëkulturor, kështu që gjithë këto larmi të ndryshme i ka të pranishme në shoqëri. Mund të themi se ka ndasi etnike, madje çështjet ndëretnike janë më të ndjeshmet në vend. Por mendojmë se ende nuk janë gjetur politikat për afrimin e bashkësive etnike, që jo vetëm të jetojnë por të pranë njëri tjetrit, por ndoshta duhet edhe të jetojnë me njeri tjetrin. Në Republikën e Maqedonisë, përbërja e popullatës është e përzier, e pranueshme kjo me kushtetutë. Shqiptarët janë pjesë kushtetuese e vendit, mirëpo fatkeqësisht vërehet ndarja etnike sidomos tek të rinjtë.

Zëri i Amerikës: Po, kemi parë shpesh edhe raste të dhunës...

Suzana Saliu: Të rinjtë janë shpesh viktima të këtyre ndasive dhe ata me shumë guxim promovojnë këto lloj ndasish dhe përfshihen në incidente. Dhe, disi në Republikën e Maqedonisë është bërë një trend i rrezikshëm që marrëdhëniet etnike, secilin etnitet ta çojnë drejt patriotizmit apo kombëtares, mirëpo këtu kërkohet një qasje dhe politika më serioze. Të gjithë duhet të përqendrohemi tek mënjanimi i dhunës dhe ofrimi për të rinjtë sidomos maqedonas dhe shqiptarë. Shtrohet pyetja se kush i edukon këta të rinj, kush i organizon ata dhe pastaj se si funksionon shteti juridik nëse këta përfshihen në vepra agresive ndaj njëri tjetrit. Shteti juridik, politikat ndëshkimore e sanksionuese duhet të jenë pjesë e proceseve.

Zëri i Amerikës: Maqedonia do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale më 13 prill. Doja të dija qëndrimin e partisë tuaj, BDI. A do të dilni ju me një kandidat tuaj apo do të mbështesni kandidatin e partisë në koalicion, VMRO-DPMNE?

Suzana Saliu: Bashkimi Demokratik për Integrim, partia së cilës i takoj unë, para pak muajsh ka dalë me një qëndrim shumë të qartë: se Republikës së Maqedonisë i duhet një model i ri i presidentit, i duhet një figurë konsensuale, një autoritet që do t’i bashkojë të gjithë qytetarët dhe që do të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Kur thoni konsensual, ju keni parasysh një kandidat të përbashkët, apo jo? Mes jush dhe partisë tjetër në pushtet?

Suzana Saliu: Nuk do të thotë se kandidati i përbashkët duhet të dalë vetëm nga partitë e koalicionit qeveritar. Ai mund të jetë i përbashkët edhe nëse gjindet marrëveshje, edhe nga opozita, dhe Republika e Maqedonisë në këtë mënyrë do të ndërtojë një standard të ri kur është në pyetje një funksion i lartë shtetëror dhe një institucion, siç është presidenti i vendit. Sepse, mendoj që presidentët e deritashëm të Maqedonisë nuk e kanë manifestuar realitetin objektiv të vendit. Shqiptarëve u qan zemra se nuk janë përfaqësuar si duhet në këtë institucion të rëndësishëm shtetëror, prandaj dhe kjo reflekton me mosbesim të shqiptarëve në punën e presidencës.

Zëri i Amerikës: Përse jo një kandidat i përbashkët i partive shqiptare, i gjithë spektrit politik shqiptar? Dhe përse mbështetja ndaj partisë së koalicionit; BDI-ja është deklaruar kundër presidentit aktual, apo jo?

Suzana Saliu: Për çështje të rëndësishme kombëtare shqiptare, shqiptarët kanë kapacitete, potencial por kanë dhe lidership që të ulen bashkë dhe të bisedojnë lidhur me këtë mundësi. Por, mendoj se edhe sikur ta bëjnë një organizim të tillë shqiptarët, pak ka gjasa që të kalojë kandidati shqiptar. Për atë nevojitet një figurë konsensuale, për çka do të japë pajtimin edhe pala maqedonase. Sikur kandidati të jetë shqiptar, pa përkrahjen e palës maqedonase, nuk mund të zgjidhet president i Republikës, mirëpo është me rëndësi se edhe presidenti maqedonas nuk mund të zgjidhet pa përkrahjen e shqiptarëve dhe kjo na bën edhe më shumë të këmbëngulim për një kandidat të përbashkët, konsensual.

Zëri i Amerikës: Partitë opozitare shqiptare ju kanë kritikuar se nuk keni përdorur gjuhën shqipe kur keni pasur mundësinë t’i drejtoni seancat. Ju e mbani këtë post qysh nga viti 2011. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Suzana Saliu: Eshtë e vërtetë se gjuha shqipe me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë është definuar si gjuhë e dytë zyrtare. Në Parlamentin e vendit gjuha shqipe përdoret në të gjitha forumet parlamentare: në shqip drejtohet edhe kryetari i komisionit parlamentar, të gjithë deputetët shqiptarë dhe ministrat shqiptarë në këto forume parlamentare. Mirëpo, fatkeqësisht ende nënkryetari i Parlamentit, në këtë rast unë, nuk e ka gjetur mirëkuptimin që të dalë dhe të drejtojë seancat parlamentare në gjuhën shqipe. Sepse, nëse seancat parlamentare do të udhëhiqen në shqip, kjo do të jetë një histori e re për Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. Pra ky do të ishte një promovim, për së pari herë, që në kryesimin e seancave parlamentare të flitet gjuha shqipe

Zëri i Amerikës: Përderisa e lejon kushtetuta?

Suzana Saliu: Fatkeqësisht, ajo që është përcaktuar me kushtetutë, ka një tendencë... Nuk mund ta fshehim këtë sepse është e dukshme. Ka një tendencë që të drejtat e shqiptarëve që janë të përcaktuara me kushtetutë janë të garantuara edhe me ligje, që ato të pengohen me mungesën e vullnetit politik. Mirëpo mendojmë se gjuha shqipe është e pranishme në Republikën e Maqedonisë; është gjuhë zyrtare dhe mendojmë se në një të ardhme të afërt edhe seancat plenare të Parlanentit të Maqedonisë do të drejtohen në gjuhën shqipe.
XS
SM
MD
LG