Lidhje

Suedia do të kthejë 80 mijë azilkërkues


Suedia thotë se po përgatitet të deportojë rreth 80 mijë azilkërkuesish që hynë në vend në shifra rekord vitin e kaluar. Ky numër është sa gjysma e 163 mijë vetëve që kanë shkuar në Suedi, për t’i shpëtuar luftrave në Siri, Irak dhe Afganistan.

Ministri i Mbrojtjes, Anders Ygeman i tha sot një gazete suedeze se refugjatët do të dëbohen sepse u janë mohuar kërkesat për azil. Azilkërkuesve do t’u jepet mundësia të kthehen vetë në vendet e tyre, ose përndryshe do të detyrohen me forcë.

Suedia ishte një nga destinacionet kryesore për refugjatët për shkak të politikave të saj për kufij të hapur. Por numri jashtëzakonisht i madh i refugjatëve e kanë detyruar Stokholmin që të vendosë kontrolle kufiri dhe identifikimi për ata që kanë arritur së fundmi.

Në Francë, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, iu përgjigj pyetjeve për vendimin e Suedisë:

“Ajo që po themi është që të gjithë ata që duan të kërkojnë azil, duhet të kenë të drejtën të paraqesin rastin e tyre. Ata duhet të ndjekin procedurat që përcaktojnë nëse personi ështe refugjat apo jo. Ne u kemi kërkuar vendeve që të mbajnë ata persona që janë refugjatë dhe ata nuk janë, sigurisht duhet të riatdhesohen”, - tha ai.

Ndërkohë, trupat e të paktën 18 emigrantëve që u mbytën nga përmbysja e varkës me të cilën udhëtonin, u gjetën sot në brigjet e ishullit grek të Samos. Autoritetet thonë se 10 vetë u shpëtuan. Shumica e viktimave ishin fëmijë.

XS
SM
MD
LG