Lidhje

Pagesa me pëllëmbën e dorës


quixtar

quixtar

Pagesa me kartë krediti së shpejti mund të kthehet në diçka që i përket së kaluarës. Një kompani në Suedi po bën të mundur që konsumatorët të paguajnë me pëllëmbën e dorës. Kjo mënyrë ka filluar të praktikohet në një universitet në jug të Suedisë.


Përdoruesit në Universitetin e Lundit mjafton të kalojnë pëllëmbën e dorës mbi një skaner me rreze infra të kuqe për të paguar në mencë, për shembull për kafen apo biskotat.

Kaq duhet që paratë të tërhiqen nga llogaria bankare e përdoruesit, si nga një dorë e padukshme.

Sistemi quhet Quixter dhe është krijuar nga studenti Fredrik Leifland në vitin 2012. Ai u vu në përdorim në fillim të vitit 2013.


Tani 15 dyqane, kafene dhe restorante në kampus si dhe mbi 1800 njerëz përdorin sistemin Quixter.


Në këtë mencë, për shembull, rreth 25 përqind e blerjeve bëhen me pëllëmbën e dorës.

Leifland thotë se i lindi ideja për një sistem të ri pagese kur ishte duke pritur në radhë në një dyqan ushqimesh.

"E kuptova se pagesa zinte kohën më të madhe të blerjes dhe mendova se duhet të kishte një mënyrë më të shpejtë për ta bërë këtë," thotë Fredrik Leifland.

Vetë skaneri, i quajtur PalmSecure, është prodhuar nga kompania japoneze Fujitsu.


Fujitsu e përshkruan këtë si një "sistem biometrik verifikimi". Skaneri përdor strukturën e damarëve në dorën e njeriut për identifikimin e tij dhe sipas firmës Fujitsu, kjo strukturë është plotësisht e veçantë për çdo njeri.


Teknologjia në fjalë nuk është e re në vetvete. Instituti Kombëtar i Shkencave Radiologjike në Japoni e ka futur në përdorim skanerin PalmSecure që në vitin 2007 për mbedhjen e të dhënave mjekësore dhe sistemi përdoret tashmë në të gjithë botën për të identifikuar njerëzit. Por besohet se Quixter është kompania e parë që përdor këtë teknologji në një sistem pagesash.

Leifland thotë se ai në fillim studioi idenë e përdorimit të gjurmëve të gishtave, por shpejt e braktisi këtë mundësi, sepse shenjat e gishtave mund të kopjohen dhe vidhen lehtë.

Damarët ndodhen nën lëkurë dhe prandaj struktura e tyre nuk mund të kopjohet.

"Kjo është një teknologji shumë e zgjuar, sepse njeriu e mban dorën me vete. Ajo është gjithashtu shumë e sigurtë, sepse struktura e damarëve te çdo njeri është e veçantë," thotë Leifland.


Megjithëse kjo mënyrë është e sigurtë, Leifland vendosi të shtojë edhe një masë sigurie: para se të kalojë pëllëmbën në skaner, çdo njeri që paguan duhet të fusë katër shifrat e fundit të telefonit të tij.


Çdo pagesë me Quixter zgjat rreth 5 sekonda.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG