Lidhje

SHBA - Rusi, arrihet marrëveshje për Sirinë


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia njoftuan në orët e para të së shtunës në Gjenevë, se kanë arritur një marrëveshje për një plan kompleks dhe ambicioz, për t’i dhënë fund luftës 5-vjeçare në Siri dhe që të dy vendet të bashkëpunojnë në luftën kundër grupeve terroriste atje.

Marrëveshja u kërkon të gjitha palëve në Siri që të riangazhohen për një armëpushim të zbatueshëm në mbarë vendin. Sipas planit, luftimet duhet të ndalojnë deri në perëndim të diellit më 12 shtator, që shënon fillimin e festës së bajramit për myslimanët.

“Nuk ka gjë më mirë se sa kur të gjitha palët bashkohen për ta bërë festën më kuptimplotë për popullin e Sirisë dhe të rajonit”, - tha Sekretari i Shtetit John Kerry, ndërsa qëndronte krah për krah me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

“Në se plani zhvillohet sipas premtimit, ky do të ishte momenti kur përpjekjet shumëpalëshe në tryezën diplomatike dhe negociatat fillojnë të vihen në zbatim dhe atëhere ne mund të fillojmë tranzicionin në Siri”, tha zoti Kerry.

Zoti Lavrov tha në konferencën e përbashkët të shtypit me zotin Kerry, se "Moska e kishte informuar qeverinë siriane lidhur me planin e marrëveshjes dhe se ajo është gati ta zbatojë atë."

Edhe i dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, mori pjesë në konferencën e shtypit në Gjenevë, duke thënë se "marrëveshja e arritur krijon një dritare të vërtetë mundësie, të cilën duhet ta shfrytëzojnë të gjithë aktorët në rajon, si një rrugë drejt përfundimit të dhunës dhe vuajtjeve për popullin sirian."

Trego komentet

XS
SM
MD
LG