Lidhje

Në Siri mbërrijnë ndihma të reja


Autokolona të tjera me ndihma po shkojnë në tre qytete të rrethuara siriane, pas një sasie ushqimesh dhe ilaçesh tepër të nevojshme, që u dërguan në fillim të kësaj jave.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, i cili po vepron në partneritet me Kombet e Bashkuara dhe Gjysmëhënën e Kuqe të Sirisë, tha se kamionët janë drejtuar për në qytetet Madaya, Foua dhe Kefraya. Autokolona e parë me ndihma arriti në këto qytete të hënën.

Kryengritësit që luftojnë kundër presidentit Bashar al-Asad kanë nën kontroll qytetin Madaya, me rreth 42.000 banorë, i cili është i bllokuar prej muajsh nga trupat qeveritare. Kryengritësit kanë rrethuar ndërkaq qytetet Foua dhe Kefraya.

OKB-ja dhe burime të tjera thonë se në Madaya shumë njerëz kanë vdekur nga uria, gjë që ambasadori sirian në OKB e mohon. Shefi i agjencisë humanitare të OKB-së Stephen O'Brien tha të hënën se 400 njerëz në qytet përballen me vdekjen nëse nuk evakuohen për trajtim mjeksor.

XS
SM
MD
LG