Lidhje

Inspektim i OKB-së në Siri


Një ekip i inspektorëve të Kombeve të Bashkuara mbërriti në Damask për të hetuar nëse në luftën civile të Sirisë janë përdorur armë kimike.

Ekipi prej 20 vetash nuk komentoi për gazetarët kur arriti në një hotel të kryeqytetit sirian për të filluar misionin dy-javor.

Grupi do të përpiqet thjesht të përcaktojë nëse armët kimike duke përfshirë gazin Sarin dhe agjentë të tjerë nervorë janë përdorur ose jo dhe, nëse po, nga kush janë përdorur.

Ekipi drejtohet nga eksperti suedez i armëve Ake Sellstrom. Përpjekjet e tij për të vizituar Sirinë ishin shtyrë disa herë që nga fillimi i prillit, ndërsa vazhdonin negociatat për të vendosur se çfarë aksesi do t'u jepte atyre Damasku.

Misioni do të kufizohet vetëm në hetimin e përdorimit të armëve kimike në tri rajone, duke përfshirë një sulm në muajin mars në rrethinat e Aleppos, Khan el-Assal, ku forcat e presidentit Bashar al-Asad dhe kryengritësit fajësojnë njëri-tjetrin.

Khan el-Assal është nën kontrollin e kryengritësve dhe opozita thotë se hetuesit do të kenë atje qasje të plotë. Dy vende të tjera ende nuk janë përcaktuar konkretisht.

Qeveria e zotit Asad dhe kryengritësit që e luftojnë atë e kanë akuzuar njëri-tjetrin për përdorimin e armëve kimike, një hap që Shtetet e Bashkuara kishin thënë se do të shkelte "vijën e kuqe" në konfliktin gjatë të cilit janë vrarë 100 mijë njerëz.
XS
SM
MD
LG