Lidhje

ONAK mblidhet në Hagë për armët e Sirisë


Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike është mbledhur në Hagë për të vendosur se si dhe kur do të kryhet procesi i shkatërrimit të arsenalit të armëve kimike të Sirisë.

Organizata ka thënë se alternativa më e zbatueshme është që armët të largohen nga Siria dhe të shkatërrohen në një vend tjetër.

Qeveria siriane, e cila i ka çuar një plan të detajuar çarmatimi Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, e ka shprehur vetë këtë pikëpamje. Por deri tani nuk ka dalë asnjë vend i tretë që të pranojë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e vet.

Shqipëria, e cila shihej si një prej alternativave të mundshme nuk e ka pranuar këtë ofertë. Duke bërë të ditur vendimin sot përmes në fjalimi drejtuar mbarë vendit kryeminsitri Rama theksoi se Shqipëria nuk mund të bëhej pjesë e procesit.

Dje Norvegjia ofroi të dërgojë një anije civile dhe një fregatë të marinës në portet siriane për të marrë armët kimike, të cilat do të dërgohen diku tjetër për asgjësim. Më parë, Oslo e pati hedhur poshtë një kërkesë të Shteteve të Bashkuara që ato të shkatërrohen në territorin norvegjez.

Vendimi i sotëm i organizatës është hapi i ardhshëm i një plani të OKB-së, sipas të cilit Siria ka rënë dakord të asgjësojë gazin helmues dhe agjentët nervorë që disponon deri nga mesi i vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG