Lidhje

Siria dhe politikat amerikane në Azi

  • Scot Stearns

Pas njoftimeve për sulm me armë kimike në Siri, administrata e Presidentit Obama ka thënë se po shqyrton mundësitë për përgjigje. Por çfarë ndikimi do të kishte një sulm i mundshëm amerikan mbi Sirinë tek politikat e përqëndruara rreth Azisë, të cilat Uashingtoni po i paraqet si pjesë e shkëputjes nga luftërat në Irak dhe Afganistan?

Përgatitjet për një sulm të mundshëm amerikan në Siri ishin pjesë e bisedimeve të Sekretarit të Mbrojtjes Chuck Hagel me aleatët aziatikë në Brunei.

"Mendoj se presidenti Obama e ka bërë të qartë dhe unë e kam thënë në disa raste, që nëse do të ndërmerrej ndonjë veprim kundër Sirisë, ai do të ishte një bashkëpunim ndërkombëtar."

Takimi i zotit Hagel me ministrat e mbrojtjes së Azisë mes përgatitjeve amerikane për të sulmuar Sirinë është një shenjë e rëndësishme për rajonin, thotë analisti për Azinë Patrik Cronin.

"Këto janë vende që prej Shteteve të Bashkuara presin jo vetëm ndikim ekonomik, por edhe garanci për sigurinë. Dhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin marrë pjesë në një takim si ky, i cili ishte planifikuar prej kohësh, do të dërgohej një sinjal krejtësisht i gabuar."

Por çfarë ndikimi do të kishte një sulm i mundshëm amerikan mbi Sirinë tek politikat ushtarake, diplomatike dhe tregtare të administratës Obama të përqëndruara rreth Azisë? Analisti Michael Auslin.

"Siria po ndikon tek politikat e Presidentit drejt Azisë. Jo sepse Siria është aq e rëndësishme, por për shkak se është një tregues perfekt i problemit të zgjedhjes së rajonit si epiqendër për politikat e jashtme, duke mos qenë më pas në gjendje të realizohet ky synim dhe në një farë mënyre duke e lënë këtë zonë në baltë."

Me rritjen e patrullimeve të Kinës në ujërat e debatueshme të Detit të Kinës Jugore, aleatët aziatikë presin një prani ushtarake amerikane më të fuqishme, në një kohë kur Uashingtoni po përqëndrohet sërish tek një konflikt në Lindjen e Mesme.

"Fakti që tani SHBA-ja është e impenjuar me çështjen e Sirisë, për vendet aziatike ngre pyetjen nëse vendi është vërtet në gjendje të angazhojë burime për të dy pjesët e globit, përtej retorikës dhe pjesëmarrjes në këto takime."

Burimet për përqëndrimin politik drejt Azisë ishin menduar të vinin prej tërheqjes amerikane nga Iraku dhe Afganistani. Por shkurtimet e buxhetit e kishin ngadalësuar atë ripozicionim edhe para tensioneve ushtarake rreth Sirisë, thotë analisti Doug Bandow.

"Ajo që po shohim tani me Sirinë tregon se sa e vështirë është për SHBA-në të ruajë këtë lloj pranie globale në një kohë pakësimi të burimeve. Dhe kjo do të ndikojë në çdo gjë."
Zoti Bandow thotë se zhvillimi i Shteteve të Bashkuara si një fuqi e Paqësorit nuk është më i rëndësishëm se interesat e hershme të sigurisë në Lindjen e Mesme për vendin.

"Amerika ka aleanca në Lindjen e Mesme. Ka ende shqetësime rreth naftës në Lindjen e Mesme, rreth të drejtave të njeriut. Është shumë e vështirë për administratën të tërhiqet prej rajonit. Pra, aziatikët duhet të shohin situatën dhe të kuptojnë që edhe ata do të preken nga pakësimi i angazhimit amerikan."

Ndërkohë, Kina është duke paralajmëruar kundër një përgjigjeje ushtarake ndaj sulmeve me armë kimike në Siri.

"Mënyra e vetme për të dalë nga situata në Siri është zgjidhja politike. Pra, të gjitha palët duhet ta trajtojnë me kujdes problemin e armëve kimike, duke shmangur pengimin e përpjekjeve për të zgjidhur çështjen siriane politikisht."

Megjithëse në të kaluarën Kina i është bashkuar Rusisë duke vënë veto kundër një qasjeje më të ashpër të OKB-së në Siri, zyrtarët amerikanë thonë se kundërshtari kryesor ndaj veprimeve të Këshillit të Sigurimit kundër Sirisë është Moska, e jo Pekini.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG