Lidhje

SHBA: Siria ka përdorur armë kimike

  • Andre Nesnera

Administrata Obama thotë se ka prova që tregojnë se qeveria siriane ka përdorur sasi të vogla armësh kimike në vend. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera na sjell më shumë hollësi rreth arsenalit të armëve kimike të Sirisë.

Ekspertët perëndimorë besojnë se Siria ka një prej arsenaleve më të mëdhenj të armëve kimike në botë, përfshirë gazin mustard, sarinin më modern, madje edhe agjentin VX, më helmuesi mes gjithë agjentëve kimikë.
John Pike, drejtor i firmës kërkimore në Internet, Globalsecurity.com, thotë se qeveria siriane disponon mjetet e nevojshme për të përhapur agjentët kimikë.

“Siria ka raketa balistike, raketa dhe predha artilerie si dhe bomba të ndryshme që mund të hidhen nga aeroplanë. Pra ata kanë mënyra për t’i hedhur këta agjentë të paktën në rajon”.

Ekspertët thonë se ekzistojnë pak statistika lidhur me programin e armëve kimike të Sirisë sepse ky vend nuk ka nënshkruar Konventën e Armëve Kimike, që ndalon prodhimin, zotërimin dhe përdorimin e armëve të tilla. Pjesa më e madhe e përllogaritjeve bazohen në të dhënat e agjencive të zbulimit dhe të analistëve. Zoti Pike thotë se është e vështirë të përcaktohet se ku i mban Siria armët kimike.

“Sirianët kanë disa qendra të mëdha magazinimi, megjithatë ata i lëvizin këto armë. Mendohet se ata i kanë transferuar këto armë në qendra që ata mendojnë se janë të sigurta dhe në pozicione të përshtatshme për t’u përdorur menjëherë në rast nevoje”.

Vitin e kaluar Presidenti Barack Obama e paralajmëroi qeverinë sirianë që të mos përdorë armë kimike në luftën kundër forcave të opozitës. Ai tha se përdorimi i armëve të tilla është i papranueshëm, por ai nuk dha hollësi se çfarë masash mund të merreshin.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar tashmë se agjencitë amerikane të zbulimit “vlerësojnë në shkallë të ndryshme besimi se regjimi sirian ka përdorur armë kimike në një shkallë të vogël në Siri, specifikisht agjentin sarin”. Por në të njëjtën kohë, administrata tha se do të “përpiqej të gjente fakte të besueshme dhe të vërtetuara” si dhe do të “hetonte plotësisht të gjitha provat rreth përdorimit të armëve kimike në Siri”.

Charles Blair, ekspert i armëve kimike në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, thotë se është shumë herët të thuhet me bindje se qeveria siriane ka përdorur armë kimike kundër popullit të vet.

“Në ushtrinë siriane ka elementë të lidhur me forcat rebele, që mund t’u japin këtyre të fundit sasi agjenti sarin. Forcat guerrile, forcat e opozitës, mes të cilave ka shumë xhihadistë, kanë çdo motiv të mundshëm që t’i përdorin ato, duke bërë që të duket sikur qeveria siriane ka përdorur armë kimike. Ata janë të motivuar ta vëjnë këtë sepse Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se një hap i tillë është i papranueshëm”.

Eksperti Pike është dakord me këtë vlerësim. Ai vë në dyshim faktin se, nëse këto armë me të vërtetë janë përdorur, ato nuk kanë pasur ndikime shkatërrimtare në masë, madje ai mendon se janë pikërisht këto pasoja shkatërrimtare, që e kanë bërë Shtëpinë e Bardhë ta paralajmërojë regjimin sirian se përdorimi i armëve kimike nuk do të tolerohet.

Kombet e Bashkuara po hetojnë nëse qeveria siriane ka përdorur armë kimike, por analistët thonë se ky hetim është penguar nga fakti se hetuesit e OKB-së nuk janë në gjendje të kryejnë hetimet e tyre në Siri.


Konflikti sirian ka filluar para më shumë se dy vjetësh dhe ka shkaktuar vdekjen e 70 mijë personave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG