Lidhje

Ban: Jo veprime ushtarake në Siri deri të shtunën


Sekretari i Përgjithshëm i OKB tha se inspektorët do t'i raportojnë atij pas përfundimit të misionit për hetime mbi përdorimin e armëve kimike

Sekretari i OKB-së Ban Ki-moon po u bën thirrje fuqive perendimore të mos ndërmarrin veprime të mundshme ushtarake kundër Sirisë derisa ekipi i inspektorëve të OKB-së të ketë përfunduar punën në vend. Zoti Ban tha sot se ekipi do të largohet nga vendi të shtunën dhe do ta njoftojë atë për gjetjet.

Ndërkohë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë do të informojnë sot anëtarët e një komisioni të Kongresit lidhur me sulmin e javës së kaluar që shkaktoi vdekjen e qindra civilëve në periferi të Damaskut.Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki -moon thotë se inspektorët e OKB-së që po hetojnë rreth një sulmi me armë kimike në Siri do të largohen nga vendi të shtunën.

Duke folur sot gjatë një vizite në Vjenë, zoti Ban tha se inspektorët do t'i raportojnë atij pasi të kenë përfunduar misionin dyjavor që synonte fillimisht hetimin e përdorimit të armëve kimike në Siri në të kaluarën.

"Ata do t'i vazhdojnë hetimet deri të premten, do të largohen nga Siria mëngjesin e së shtunës dhe do të më raportojnë mua sapo të jenë kthyer. Kjo është arsyeja që unë po e shkurtoj vizitën në Austri," tha Sekretari i Përgjithshëm.

Zoti Ban i bëri komentet sot, ndërkohë që ekipi i OKB-së ndodhet në ditën e tretë të punës në periferi të Damaskut.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel foli po sot në një konferencë shtypi në Brunei me homologun e tij rus, Anatoly Antonov. Zoti Hagel tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin asnjë veprim të njëanshëm kundër Sirisë :

"Sa i përket Sirisë, ne vazhdojmë të këshillohemi me aleatët. Presidenti Obama e ka bërë shumë të qartë dhe unë e kam thënë në disa raste se çdo veprim që do të ndërmerrej kundër Sirisë, do të bëhej në formën e një bashkëpunimi ndërkombëtar", tha zoti Hagel.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po shqyrton një projekt-rezolutë britanike për veprime të mundshme ushtarake.

Diplomatët e pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit i filluan bisedimet të mërkurën, por nuk ka gjasa të arrijnë ndonjë përparim për shkak të kundërshtimit rus dhe kinez ndaj një ndërhyrjeje nga jashtë. Këto dy vende kanë përdorur veton tri herë që nga viti 2011 për të bllokuar rezolutat që vënë në shënjestër qeverinë siriane.

Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se nuk do të lejojnë që paraliza diplomatike në OKB të pengojë një kundërpërgjigje ndaj Sirisë.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Marie Harf tha se Siria "nuk mund të vazhdojë të fshihet" prapa qëndrimit të Rusisë në Kombet e Bashkuara dhe se Shtetet e Bashkuara nuk shohin ndonjë përparim nëse Rusia vazhdon të kundërshtojë.

Ajo tha se Uashingtoni do të këshillohet me aleatët ndërkohë që shqyrton mundësinë e një goditjeje të vet ushtarake kundër Sirisë.

Agjencia e lajmeve Interfax e Rusisë citonte sot një burim ushtarak, sipas të cilit Rusia po dërgon një kryqëzor dhe një anije kundër nëndetëseve në Mesdheun lindor në përgjigjeve të zhvillimeve të fundit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG