Lidhje

OKB, bisedime mbi rezolutën për Sirinë


Diplomatët në Kombet e Bashkuara filluan sot bisedimet mbi një rezolutë të propozuar nga Britania për të dënuar sulmin kimik që thuhet se ndërmori qeveria siriane kundër civilëve.

Të dërguarit nga SHBA, Franca, Rusia, Kina dhe Britania debatuan rreth projekt-rezolutës, e cila kërkon "masa të nevojshme për të mbrojtur civilët" në Siri nga armët kimike.

Propozimi është pjesë e një përpjekjeje diplomatike ndërkombëtare nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe fuqive perëndimore përpara një veprimi të mundshëm ushtarak kundër presidentit Bashar al-Assad.

Nuk pati komente lidhur me propozimin pas përfundimit të takimit. Ndërkohë, sipas të dërguarit të posaçëm të OKB-së, provat tregojnë se Siria ka përdorur substanca kimike, gjë që qeveria siriane e mohon.

I dërguari i posaçëm, Lakhdar Brahimi, tha sot se në sulmin e 21 gushtit në Siri, ku mbetën të vrarë disa qindra njerëz, janë përdorur "substanca kimike" të këtij apo atij lloji.

"Duket se është përdorur njëfarë lënde kimike që vrau shumë njerëz, disa qindra, sigurisht më shumë se njëqind. Disa thonë treqind, të tjerë gjashtëqind. Ndoshta janë njëmijë dhe më shumë se aq. Kjo natyrisht është e papranueshme, është skandaloze," tha zoti Brahimi.

Zoti Brahimi tha megjithatë se çdo goditje e mundshme ushtarake në Siri në shenjë kundërpërgjigjeje duhet të ketë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai i bëri komentet gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.

Një ekip inspektimi i Kombeve të Bashkuara është duke hetuar sulmin me gaz që thuhet se u ndërmor një javë më parë afër Damaskut, ngjarje që ka çuar në thirrje për veprime ushtarake kundër Presidentit sirian Bashar al-Asad.

Por zoti Brahimi theksoi se komuniteti ndërkombëtar është ende në kërkim të zgjidhjes së krizës përmes kanaleve diplomatike.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të "gjejë një qëndrim të përbashkët" lidhur me gjendjen në Siri. Ai tha se ekipit të OKB-së në Siri i duhet kohë për të bërë punën e tij. Zoti Ban tha në një fjalim sot në Hagë se shkallëzimi i gjendjes në Siri ka shkaktuar "viktima të tmerrshme" dhe ka prodhuar imazhe të tilla që nuk janë parë në botë gjatë këtij shekulli.

Ai kritikoi ashpër përdorimin e armëve kimike, duke thënë se çdo veprim i tillë, në çdo kohë e në çdo rrethanë, do të përfaqësonte "një shkelje kriminale të së drejtës ndërkombëtare."

Ndërkohë që shtohen zërat rreth një kundërpërgjigjeje të mundshme ushtarake perëndimore ndaj Sirisë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar se një ndërhyrje e huaj ushtarake do të destabilizonte vendin dhe rajonin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG